Qytetarët nuk dorëzohen , nisin peticion të ri për tërheqjen e Trustit

22:43 | 24 Qershor 2022

Qytetarët e Kosovës po duan tërheqjen e mjeteve nga trusti.

Kuvendi i Kosovës dje dështoi ta miratojë Projektligjin për tërheqjen e një përqindje të parave nga Trusti. Kundër kësaj nisme votuan 57 deputetët e pushtetit. Por, pavarësisht kësaj, qytetarët s’kanë hequr dorë nga kërkesa e tyre. Ata kanë filluar sërish peticion për Trustin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Qytetarët e vendit kanë filluar sërish një peticion për të mbledhur nënshkrime për riproceduar në Kuvend kërkesën për tërheqjen e parave nga Trusti.

Adnan Jashari ka njoftuar në grupin “Pro tërheqjes 30% të Trustit”, se kanë nisur përgatitjet për të mbledhur nënshkrime.

“Pas kërkesës tuaj në grup për PETICIONIN për Trustin! Unë me disa anëtarë të grupit kemi filluar përgatitjet për të mbledhur nënshkrime për të riproceduar kërkesën tonë për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë vullnetarisht në mbledhje të nenshkrimeve për peticion, le të më kontaktojnë qe t’ua jap fletët për mbledhje të nenshkrimeve.

Kur të dalim në teren do të bëjmë publike lokacioni ku mund të nënshkruhet PETICIONI në Prishtine dhe qytetet tjera! Të nderuar anëtarë, një kopje të PETICIONIT po e publikoj ketu në grup që të keni mundësi ta printoni dhe nenshkruani ne vendet tuaja dhe pastaj të i dorëzoni tek ne”, ka shkruar Jashari.
Këtë nismë të qytetarëve e ka përkrahur sërish deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu.
Ai ka thënë se kushdo që hynë në garë kundër qytetarëve, do të jetë çdo herë humbës.

“Ndonëse Kryeministri Kurti shfaqi gatishmëri që këtë të drejtë kushtetuese t’ua mohoj deputetëve duke i trajtuar ata si teknokrat apo robot të Albinit, kërkesat e qytetarëve nuk mund të shtypen me arrogancën e numrave të pushtetit. Kush hynë në garë kundër qytetarëve çdo herë do të jetë humbës. Shihemi në votimin e radhës për Trustin, deputetë të popullit apo robotë të Albinit”, ka shkruar Haxhiu.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë sot Projektligjin që do të mundësonte një tërheqje të sërishme të kursimeve nga Trusti. Nismës së propozuar nga deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, i dolën kundër 57 deputetët e pushtetit, derisa përkrahje i dhanë 44 deputetët e opozitës. Votimit i paraprinë diskutimet disa orëshe, e kohë pas kohe edhe përplasjet.

Propozimi për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas këtij propozimi, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi.

Komento: