RABIOT, MBRET KUQEZINJ! Milani hap thesin për francezin

22:42 | 01 Shtator 2026

Adrien Rabiot mbetet një nga lojtarët kryesorë të projektit të Milanit dhe drejtuesit kuqezi po përgatiten t’i ofrojnë mesfushorit francez një kontratë të re.

Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që kanë shoqëruar Milanin gjatë kësaj vere dhe zërave të ndryshëm për të ardhmen e tij, rëndësia e Adrien Rabiot për klubin nuk ka ndryshuar. Mesfushori francez vazhdon të konsiderohet një pikë referimi për projektin e kuqezinjve.

Trajneri Ruben Amorim e ka konfirmuar këtë qëndrim, duke e cilësuar Rabiot një futbollist të rëndësishëm për të ardhmen e skuadrës.

“Adrien është një lojtar kyç për projektin tonë. Ne donim ta mbanim dhe, nëse krijohet mundësia, kontrata e tij duhet të rinovohet. Ai e di këtë”, është shprehur Amorim, përcjell ORAinfo.

Kontrata e re, deri në vitin 2030

Rabiot aktualisht ka kontratë me Milanin deri në vitin 2028, me një opsion për zgjatjen e saj deri në vitin 2029. Megjithatë, drejtuesit e klubit synojnë të shkojnë edhe më tej.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Milani dëshiron ta zgjasë marrëveshjen të paktën deri në vitin 2030, kur Rabiot do të jetë 35 vjeç.

Bisedimet e para mes klubit dhe nënës së tij, njëkohësisht agjentes Veronique Rabiot, kanë nisur tashmë. Palët pritet të zhvillojnë takime të tjera për të përcaktuar detajet e kontratës së re.

Në klub e konsiderojnë Rabiot një futbollist të pazëvendësueshëm, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e skuadrës. Rëndësia e tij pritet të rritet edhe më shumë duke pasur parasysh se Luka Modrić ndodhet në sezonin e fundit të karrierës së tij.

Pagë prej 5 milionë eurosh neto

Pjesë e rëndësishme e propozimit të ri do të jetë edhe përmirësimi financiar. Milani raportohet se synon t’i ofrojë Rabiot një pagë prej rreth 5 milionë eurosh neto në sezon.

Një marrëveshje e tillë do ta rendiste francezin ndër futbollistët më të paguar të skuadrës kuqezi.

Milani, në këtë mënyrë, dëshiron t’i japë një sinjal të qartë Rabiot për rëndësinë që ai ka në projektin e klubit, duke synuar ta mbajë mesfushorin francez në “San Siro” për shumë vite të tjera. /ORAinfo/

Komento: