
Ralf Rangnick ka zbuluar se ka refuzuar një ofertë nga Milani, teksa gjiganti italian po afrohet gjithnjë e më shumë drejt emërimit të Ruben Amorimit si trajner të ri.
Përzgjedhësi aktual i Austrisë kishte mundësinë të rikthehej në futbollin e klubeve për herë të parë që nga periudha e tij te Manchester United, por vendosi të vazhdojë punën me kombëtaren austriake.
67-vjeçari drejtoi për gjashtë muaj Manchester Unitedin si trajner i përkohshëm gjatë sezonit 2021/22, pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaerit. Megjithatë, periudha e tij në “Old Trafford” nuk rezultoi e suksesshme.
Rangnick përfundoi sezonin në vendin e gjashtë me 58 pikë, që në atë kohë ishte numri më i ulët i pikëve të grumbulluara ndonjëherë nga Manchester United në Ligën Premier.
Ironikisht, ky rekord negativ u tejkalua më vonë nga Ruben Amorim, i cili sezonin e kaluar e mbylli kampionatin me Manchester Unitedin në vendin e 15-të dhe me vetëm 42 pikë.
Sipas raportimeve, Milani kishte kontaktuar Rangnickun për rolin e drejtorit teknik, ndërsa Amorim është shndërruar në kandidatin kryesor për postin e trajnerit pas largimit të Massimiliano Allegrit.
Vetë Rangnick konfirmoi se kishte pasur bisedime me klubin italian, por vendosi të mos e pranonte ofertën.
“Na kontaktuan para tre javësh dhe pati diskutime”.
“Që nga fillimi e bëra shumë të qartë se doja qartësi para fillimit të Kupës së Botës, për mua, ekipin, vendin, Federatën e Futbollit të Austrisë dhe lojtarët e mi. Kjo ishte komunikuar qartë që në fillim”, deklaroi Rangnick.
Me këtë vendim, trajneri gjerman do të vazhdojë të udhëheqë Austrinë, ndërsa Milani pritet të përqendrohet te finalizimi i marrëveshjes me Ruben Amorimin për stolin e skuadrës.