Raporti i DASH: Qeveria e Kosovës s’e zbatoi ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin, disa zyrtarë s’u ndëshkuan

12:03 | 23 Prill 2024
raporti-i-dash:-qeveria-e-kosoves-s’e-zbatoi-ligjin-ne-menyre-efektive-per-korrupsionin,-disa-zyrtare-s’u-ndeshkuan

Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive për korrupsionin në qeveri. Kështu thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për Kosovën për vitin 2023.

“Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Pati raportime të shumta për korrupsion në qeveri. Zyrtarët ndonjëherë përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi kontribuuan në këtë problem. Rastet e korrupsionit i nënshtroheshin rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejonte skadimin e parashkrimit”, thuhet në pjesën për korrupsionin të këtij raporti.

Po ashtu, raporti citon OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare, për të cilat thotë se “pretenduan për dështime të shumta nga sistemi gjyqësor që të ndiqet penalisht korrupsioni, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan me dënime. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të dënuar për korrupsion ishte shpesh i butë”.

Në qershor, Gjykata Themelore e Prishtinës përfundoi gjykimin e vitit 2019 të ish-ministrit të Bujqësisë Nenad Rikalo dhe tetë zyrtarëve të tjerë të Ministrisë të cilët ishin të akuzuar për shpërdorim detyre. Gjykata dënoi Rikalon dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë me tre dhe dy vjet burg. Gjashtë të pandehurit e mbetur u shpallën të pafajshëm.

“Mediat raportuan se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës hapën hetime penale kundër të paktën pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave me akuza për vepra të lidhura me korrupsionin. Më vete, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli fajtore ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Liza Gashi për mosdeklarim të pasurisë dhe i gjobiti respektivisht 700 euro (764 dollarë) dhe 500 euro (545 dollarë)”, thuhet më tej në raport./Express/

Komento: