Rasti i parë me Coronavirus në Kosovë u shënua sot 3 vjet

16:59 | 13 Mars 2023

Sot tre vjet u shënua rasti i parë me Coronavirus në Kosovë.

Tri vjet më parë, pandemia e shkaktuar nga coronavirusi shpërtheu në Kosovë dhe prej atëherë ka lënë të vdekur 3 mijë e 211 qytetarë të Kosovës.

Kosova bashkë me Malin e Zi ishin dy vendet e fundit në rajon në të cilat depërtoi Coronavirusi – në Kosovë prej tij janë regjistruar 240 mijë e 15 raste pozitive.

Por tre vjet më pas – tani, gjendja është stabile, thotë për Gazetën Express Hamdi Ramadani, infektolog.

Megjithatë, ai thotë se numri i viktimave është shumë më i lartë krahasuar me numrin e popullsisë që e ka Kosova, as 2 milionë sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011.

Problemin Ramadani e sheh tek vaksinimi, thotë se “qytetarët s’janë vaksinuar sa duhet.

“Vaksinimi ka ndikuar që të arrihet një progres i madh, por kemi stagnuar me dozën e tretë dhe me dozën e katërt. Me dozën e tretë janë shumë pak qytetarë të vaksinuar, nuk kemi bërë hapa konkretë në vetëdijesimin e qytetarëve”, ka deklaruar ai.

Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike (IKShPK) i ka larguar të dhënat e vaksinimit nga ëeb faqja zyrtare.

E sipas infektologut Ramadani, një nga faktorët që ka ndikuar në mos marrjen e vaksinave, sidomos të dozave tre dhe katërt – janë edhe teoritë konspirative.

“Teoritë konspirative kanë ndikuar që shumë njerëz ta refuzojnë vaksinën dhe kjo ka ndikuar shpesh në përkeqësim të situatës me pandeminë”, ka deklaruar ai.

Pandemia COVID-19, nuk kishte shkaktuar probleme vetëm në aspektin shëndetësor, por edhe në atë ekonomik.

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se problemet e bizneseve gjatë fillimit të pandemisë ishin të thella, pasi gjithçka ishte e mbyllur.

Por edhe pas hapjes graduale, thotë se problemet janë bartur në përmbushjen e kërkesës së konsumatorëve.

“Në Kosovë ka ndikuar shumë keq pandemia në kuptimin që gjithçka ishte e mbyllur dhe kjo e çregulloi komplet zinxhirin e furnizimit, të lëndës parë dhe prodhimit. Bizneset tona e kishin problem prodhimin, shitjen dhe blerjen e kjo shkaktojë komplet një çrregullim. Edhe pas pandemisë bizneset nuk arritën ta mbulojnë kërkesën, pasi kur u hap tregu kompanitë nuk mund ta plotësonin kërkesën dhe bizneset tona duke qenë konsumues të parë të lëndës së parë është dashur të presin me muaj që të marrin lëndën e parë”, ka thënë ai.

E kjo situatë ka ndikuar që të zhvillohet shitja online, Rafuna thotë se ishte domosdoshmëri për bizneset që të investojnë në këtë formë të shitjes.

Investimi në kohë krize ishte e vështirë, sipas kreut të OEK, për këtë thotë se ka pasur përkrahje nga shteti, por e pamjaftueshme për ta mbuluar nevojën.

”Kanë qenë disa ndihma as sa ka pasur mundësi, gjithmonë jo në atë masën e mjaftueshme. Ju e dini që kërkesat kanë qenë mjaftë të mëdha”, ka deklaruar ai.

Pas kësaj, nisi lufta pushtuese e Rusisë në Ukrainë – Rafuna thotë se ”bizneset e harruan pandeminë“.

”Kur nisi lufta në Ukrainë-Rusi, bizneet sikur e harruan çështjen e pandemisë. Tash nuk ka më pasoja të pandemisë, tash që duhet me u marrë me pasojat e luftës, me çështjen e inflacionit dhe çështjes energjetike“, ka deklaruar ai teksa tha se pandemia iu parapriu problemeve ekonomike.

Qeveritë e Kosovës që gjatë kësaj periudhe kanë qenë tri sosh, kanë mbështetur qytetarët me disa pako ekonomike për qytetarët dhe bizneset.

Tashmë, çështja me pandeminë është stabilizuar, por ekonomia mbetet problem për shkak të çrregullimeve të tregjeve ndërkombëtare shkak i luftës në Evropë.

Komento: