Reagon KDI ndaj deklarimeve të Kurtit e Rizvanollit: Ndërhyrje në punën e prokurorisë

14:57 | 20 Prill 2023

KDI reagon ndaj deklarimeve të Kurtit e Rizvanollit: Ndërhyrje në punën e prokurorisë.

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli, në rastin e arresimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës Nagip Krasniqi.

Kurti dhe Rizvanolli, gjatë fjalimit të tyre në Kuvendin e Kosovës thanë se Prokuroria Speciale po bën ndjekje selektive të rasteve të korrupsionit.

Sipas KDI-së deklarimet e tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën, pavarësinë dhe integritetin e prokurorisë.

“Është absurde që në njërën anë të kërkohet intensifikim i luftës kundër korrupsionit, e në anën tjetër, të sulmohet Prokuroria kur e njëjta ndjek penalisht afera korruptive ku potencialisht janë të përfshirë zyrtarë të emëruar apo që kanë lidhje me pushtetin.

Instituti Demokratik thekson se mbrojtja e individëve partiak që po hetohen për korrupsion, është bërë edhe nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Shfrytëzimi i foltores së Kuvendit për të ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë, e në veçanti duke shenjëstruar udhëheqës të sistemit prokurorial, është i papranueshëm dhe duhet të ndërpritet menjëherë. Ndërhyrjet dhe sulmet mbi punën e institucioneve të drejtësisë nuk i shërbejnë luftës kundër korrupsionit, si dhe minojnë besimin dhe pritshmëritë e publikut për sundim të ligjit”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Komento: