Rekorde në derbi, Solskjaer kritikon ekipin

13:50 | 07 Nëntor 2021

Rekorde në derbi, Solskjaer kritikon ekipin.

Manchester United u dorëzua shpejt në derbin me “armiqtë” e Manchester City. Kampionët në fuqi fituan 0-2 në mitikun “Old Trafford”, duke zgjidhur gjithçka në pjesën e parë falë autogolit të Bailly (i pari lojtar i United që shënon autogol në një ndeshje derbi për llogari të kampionatit) dhe realizimit të Bernardo Silva.

Hera e tetë që “Cityzens” fitojnë stadiumin kundërshtar, duke u kthyer skuadra me më shumë fitore në historinë e Premier League kundër Manchester United në “Old Trafford”.

Ole Gunnar Solskjaer vijon të mbushet me kritika dhe posti i trajnerit është në fije të perit. Tekniku norvegjez foli pas disfatës, duke analizuar shkurt 90 minutat, sidomos pjesën e parë.

“E vështirë të flasësh në këto momente për ndeshjen. E nisëm keq, ishim pasivë në fushë. Më pas vështirësohet gjithçka kur pëson golin e parë në atë mënyrë. De Gea na mbajti në lojë me pritjet e tij”.

Më pas një koment rreth zërave të shkarkimit dhe raportit me drejtuesit e klubit. “Duhet të rikthehemi në pikën ku ishim më parë, i kemi lojtarët e duhur për ta bërë.

Kam një raport të bukur me klubin, i dua të mirën United. Deri sa të jem këtu do të bëj më të mirën për të përmirësuar situatën”, përfundoi trajneri i klubit anglez.

Komento: