Reuten: Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka të bëjë me dialogun, ai duhet të hyjë në fuqi më 1 janar

11:05 | 19 Tetor 2023
reuten:-liberalizimi-i-vizave-per-kosoven-nuk-ka-te-beje-me-dialogun,-ai-duhet-te-hyje-ne-fuqi-me-1-janar

Deputeti holandez Tijs Reuten tha sot se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk ka të bëjë me dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe se ai duhet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Reuten, i cili është raportues i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, po ashtu tha se me këtë çështje merret edhe rezoluta për dialogun Beograd-Prishtinë, e cila do të votohet sot në Parlamentin Evropian.

Kjo, shpjegoi Reuten, është ajo që trajton paragrafi 26 i rezolutës.

“Paragrafi 26 përkujton se Marrëveshja për liberalizimin e regjimit të vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe se liberalizimi i vizave duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar”, ka shkruajtur Reuten në rrjetin social “X”

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën doli sërish në fokus pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron nga Tirana lidhur me pezullimin e mundshëm të liberalizimit të vizave për shkak se “liderët kosovarë nuk e mbajnë fjalën”./FrontOnline/

Komento: