Richard Grenell po e pret krijimin e qeverisë së re për një vizitë të mundshme në Kosovë

12:34 | 27 Maj 2020

Grenell po e pret krijimin e qeverisë së re për një vizitë të mundshme në Kosovë.

Richard Grenell, emisar special i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun me Serbinë, mund të vijë në Kosovë pas krijimit të qeverisë së re. Grenell, i cili kohëve të fundit u akuzua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pritet ta shtyjë përpara procesin e dialogut me Serbinë, që do t’i hapte rrugë arritjes së një marrëveshjeje finale mes dy vendeve.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet që këto 2-3 ditë të publikojë vendimin e saj për dekretin e presidentit Thaçi, që e mandaton Avdullah Hotin e LDK-së si kandidat për kryeministër të qeverisë së re, shkruan lajmi.net.

Krijimi i një qeverie të re, me apo pa zgjedhje pritet t’u jap epilog edhe disa proceseve të rëndësishme në Kosovë, përfshirë edhe dialogun me Serbinë. Aktualisht, në këtë proces BE e ka caktuar sllovakun Mirosllav Lajçak si emisar special, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të njëjtën pozitë e kanë vendosur ambasadorin e tyre në Gjermani, Richard Grenell.

E ky i fundit, mund ta vizitojë Kosovën pas krijimit të qeverisë së re.

Lajmi.net ka pyetur në zyrën e Grenellit, nëse pas krijimit të qeverisë së re, mund të ketë vizitë e cila do të realizohet në Prishtinë dhe Beograd, mirëpo që nuk është pohuar e as mohuar një gjë e tillë.

Siç është cekur në përgjigjen për lajmi.net nga zyra e tij, Grenell vazhdon të mbetet si i dërguar presidencial i SHBA-ve për dialogun, dhe se ai pret diskutimet e radhës për këtë proces, sapo të përcaktohet përbërja e qeverisë së re.

“Ambasadori Grenell mbetet si i dërguari presidencial dhe ai pret diskutimin e ardhshëm të dialogut, sapo të përcaktohet përbërja e qeverisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Custin.

Richard Grenell kishte vizituar në janar të këtij viti Kosovën. Atë kohë Vetëvendosje dhe LDK nuk kishin arritur ende marrëveshje për bashkëqeverisje, e cila do të prishej vetëm 50 ditë pas lidhjes së saj.

Grenell u akuzua edhe mbrëmë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti se ndryshoi qëndrimet pas vizitës së tij në Serbi, duke iu referuar kërkesës së SHBA-ve që Beogradi ta ndalojë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nëse Kushtetuesja vendos në favor të krijimit të një qeverie të re, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet që ta marrë drejtimin e saj me Avdullah Hotin kryeministër.

E përderisa Grenell po kundërshtohet nga Kurti, është presidenti i vendit, Hashim Thaçi ai që rolin e SHBA-ve në dialog po e sheh si determinues, ndërsa nuk parapëlqen që ky proces të ndërmjetësohet nga Mirosllav Lajçak, emisar i BE-së që vjen nga Sllovakia, vend ky që nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Komento: