Rizvanolli takon Lorkowskin, flasin për gjendjen aktuale energjetike

11:02 | 05 Qershor 2024
rizvanolli-takon-lorkowskin,-flasin-per-gjendjen-aktuale-energjetike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u takua me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Evropë, Artur Lorkowski dhe delegacionin e tij.

Sipas komunikatës nga kjo ministri, gjatë takimit është diskutuar për gjendjen aktuale të energjisë elektrike në Kosovë dhe investimet që e presin Kosovën në këtë sektor.

“Ministrja Rizvanolli theksoi se, sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Evropë e ka mbështetur Kosovën  në shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu edhe rreth kornizës ligjore dhe menaxhimit të krizës energjetike, për çfarë edhe e falënderoi zotin Lorkowski për përkrahjen”, thuhet në komunikatë.

Përveç kësaj, me theks të veçantë u diskutuan edhe sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Evropian në rrugën drejt transformimit energjetik të vendit.

“Gjatë takimit,  po ashtu u trajtuan edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Evropiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike”, njofton komunikata.

Komento: