Rizvanolli tregon se kur do të nënshkruhet Projekti i MCC për energjinë

00:00 | 04 July 2022

Ditë më parë SHBA i ka dalë në ndihmë Kosovës në fushën e energjisë.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka thënë se projekti i MCC për energjinë pritet të nënshkruhet me 27 korrik në Kongresin Amerikan.

“Marrëveshja nënshkruhet në Kongresin amerikan nën prezencën e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani dhe kongresistëve amerikanë nga Komiteti për Punë të Jashtme”, deklaroi Rizvanolli për RTK-në.

Rizvanolli thotë se më pas projekti duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe ajo shpreson që kjo gjë të bëhet para pushimeve.

“Shpresoj dhe besoj se do të kemi mbështetjen e të gjitha partive parlamentare për një ratifikim të shpejtë në mënyrë që të fillojë zbatimi sa më i shpejtë i projektit”.
Ajo thotë se shpreson që projekti të fillojë të implementohet brenda dy viteve e që ai do të zgjasë rreth 5 vite.

Ministrja e Energjisë ka treguar edhe benifitet që sipas saj sjell projekti për energjinë.

“Benifitet afatshkurta të projektit janë: Bateritë ndihmojnë në stabilizim të sistemit të energjisë. Pra do të kemi një furnizim më cilësorë me energji. E dyta, bateritë ndihmojnë në akumulimin e energjisë në kohën kur ajo nuk na duhet dhe të njëjtën e shfrytëzojmë gjatë ditës kur ka kërkesa më të mëdha për energji. Tjetra këto bateri janë shumë të rëndësishme pasi që na ndihmojnë të shfrytëzojmë më shumë burime të energjisë së ripërtëritshme”, deklaroi Rizvanolli.

Komento: