Rrahja brutale e të riut në motel: Këta janë katër të dyshuarit, mes tyre edhe vajza që qëndroi me të

13:15 | 18 Prill 2024
gjendet-i-vdekur-nje-61-vjecar-ne-nje-motel-ne-ferizaj

Një rast jo fort i zakontë që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një motel në rajonin e Prishtinës po hetohet nga Prokuroria pas denoncimit të një 31-vjeçari, i cili dyshohet se ra në kurthin e një grupi prej disa personash.

Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën se i riu u përballë me sulm e vjedhje, mëngjesin e 14 prillit në “Villa – Motel Hilton”.

Gazeta ka mësuar ekskluzivisht se katër personat e dyshuar janë Fidaim Shabani, Qazim Shabani dhe Besmir Shabani – që kanë përfunduar në ndalim policor, ndërsa vajza e dyshuar D.Shabani është liruar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti është raportuar para disa ditësh nga viktima, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë për incidentin që i ndodhi të dielën.

Në dëshminë e tij të dhënë para hetuesve policorë, i riu ka rrëfyer se gjithçka nisi pasi shkoi në motelin “Villa – Motel Hilton” me 28-vjeçaren, ku qëndruan bashkë për një kohë jo fort të gjatë.

Gjatë kësaj periudhe, në dhomën ku ata ndodheshin, u futën tre të dyshuarit, të cilët e zunë viktimën në gjumë dhe filluan ta sulmonin, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Për motive akoma të panjohura, i riu u rrah brutalisht nga të dyshuarit, që sipas informacioneve të para e kishin planifikuar gjithë kurthin dhe në të dyshohet se është përfshirë edhe vajza me të cilën qëndroi viktima.

Sipas deklaratës së 31-vjeçarit, grupi i dyshuar edhe ka kryer vjedhje, për çka ka dhënë detajet e tjera në Polici.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur që të arrestojë personat e dyshuar, të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tre të dyshuarve kanë nisur hetimet për veprat “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Vjedhje”.

Komento: