Rrëfimi i fermerit që ia pa hairin 2023-tes, fitoi rreth 25 mijë euro me speca e domate

09:02 | 30 Dhjetor 2023
rrefimi-i-fermerit-qe-ia-pa-hairin-2023-tes,-fitoi-rreth-25-mije-euro-me-speca-e-domate

Fermerëve që kushtet atmosferike nuk ua dëmtuan të mbjellat, ia panë hairin vitit 2023.

Nga mungesa e sipërfaqeve të shumta me të mbjella, këtë vit dalloi edhe çmimi në krahasim me vitin e kaluar.

Një kilogram speca është shitur me çmim shumë më të lartë.

E njëjtë ka ndodhur edhe me kilogramin e domateve dhe shalqinit, shkruan Front Online.

 

Fermeri nga Rahoveci që shënoi rekord fitimesh, thotë se ka mungesë të punëtorëve

Viti 2023 ka qenë mjaftë i bereqetshëm edhe për fermerin A.H emër i njohur për redaksinë nga fshati Ratkoc i Rahovecit.

Pavarësisht prodhimit të pakët e që ai thotë se ka qenë rreth 30% më pak se sa vitin e kaluar, fitimi këtë vit ka qenë shumë më i madh.

Krejt, kjo për shkat të cmimit.

“Kam pas të mbjella 3 hektar speca dhe 60 ari shalqin. Ky vit në krahasim me vitin e kaluar ka qenë shumë më i mirë. Vitin e kaluar kg i specave me shumicë është shitur për 35-40 cent, ndërsa këtë vit 0.90 deri në 1 euro me shumicë. Ndërsa, bostani viteve të kaluara kg është shit për 12-15 cent, e këtë vit 0.40 cent, gjithmonë po flas me shumicë”, ka treguar ai për Front Online.

A.H thotë se pavarësisht numrit të vogël të anëtarëve të familjes që janë fuqi punëtore, ai do të vazhdojë ta punojë tokën edhe në të ardhmen.

Pasi që sipas tij fitimi këtë vit ka qenë mjaftë i mirë për ata që kanë pasur të mbjella.

“Edhe viteve tjera do të vazhdoj ta punoj kështu tokën, e sikur të kisha më shumë fuqi punëtore do të punoja edhe më shumë”, ka thënë ai.

Tashmë kur shumë të rinjë po braktisin Kosovën dhe po kërkojnë një jetë më të mirë në vendet e huaja për shkak të kushteve jo të mira në vend, fermeri A.H thotë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

Madje, ai pohon se me atë që ka fituar në vitin 2023 nuk ia vlen që të lëshohet Kosova dhe të shkohet për të punuar në ndonjë vend tjetër.

“Me fitimet që kanë qenë këtë vit nuk ia vlen që me lëshu Kosovën dhe me shku me punu në ndonjë shtet tjetër”, ka shtuar ai, për Front Online.

 

 

Fermeri që u frymëzua nga fitimet këtë vit, synon të rrisë të mbjellat në 2024-ten

 Derisa një fermer në rajonin e Dukagjinit ka shitur një kilogram speca deri në 1 euro, në rajonin e Prishtinës nuk ka ndodhur e njëjta gjë.

Në këtë pjesë kilogrami i specave është shitur nga 1.20 deri në 1.50 euro.

Këtë e ka treguar për Front Online fermeri L.Xh.

Ai madje me vetëm 35 ari speca e domate ka arritur të fitojë rreth 25 mijë euro.

“Kam pasur të mbjella 15 ari speca dhe 20 ari me domate. Kam fituar afro 25 mijë euro, kurse shpenzime rreth 3 mijë euro”, ka treguar ai.

Për këtë fermer ky vit ka qenë shumë më i mirë se vitin e kaluar.

Thotë se ka arritur ta fitojë dyfishin e asaj që ka fituar në vitin 2022.

“Po ky vit në krahasim me vitin e kaluar si për nga rendimenti, ashtu edhe sa i përket çmimit, ka qenë shumë më i mirë se vitin e kaluar, apo me saktësisht dyfish më shumë. Vitin e kaluar çmimi i specave ka qenë 60-70 cent kilogrami, derisa këtë vit çmimi ishte nga 1.20 cent deri në 1.50 cent, derisa çmimi i domateve vitin e kaluar ka qenë mesatarisht 50-60 cent, ndërsa këtë vit ka qenë mes 1-1.20 cent kilogrami”, është shprehur fermeri L.Xh për Front Online.

E fitimi i madh që i ka ndodhur në vitin 2023, këtij fermeri ia ka mbushur mendjen që për vitin 2024 të zgjerojë hapësirën e sipërfaqes me të mbjella.

“Natyrisht se do të vazhdoj me kultivimin e perimeve edhe vitin e ardhshëm dhe gjithashtu planifikoj edhe rritjen e sipërfaqes me të mbjella. Planifikoj që speca të mbjell rreth 40 ari, ndërsa domate rreth 30 ari”, ka treguar ai për Front Online.

Por, pavarësisht kësaj thotë se viti 2023 për nga cmimi do të jetë i papërsëritshëm.

“Unë mendoj se ky vit do të jetë i papërsëritshëm kur bëhet fjalë për çmimin, pasi këso çmime të perimeve nuk ka pasur një kohë të gjatë. Prandaj jam shumë i kënaqur me çmimin dhe fitimet e këtij viti”, ka thënë ndër të tjera ai.

 

Profesori i bujqësisë: Viti 2023 i keq për bujqësinë, nuk u realizua prodhimi primar konform planifikimeve

Profesori i bujqësisë Imer Rusinovci vitin 2023 e konsideron si të keq për bujqësinë.

Kjo për faktin se kushtet e pafavorshme klimatike kanë ndikuar që prodhimi primar të mos realizohet konform planifikimeve.

“Ky vit në bujqësi ka qenë ta quaj kushtimisht i keq, jo i volitshëm klimatik dhe prodhimtaria në sektorin e prodhimit primar nuk është realizuar konform planifikimeve, pra është vit i rrallë i cili është karakterizuar me prodhimtari më të ulët të grurit, misrit dhe kulturave të tjera strategjike për pasojë të ndryshimeve klimatike që patëm gjatë muajit, shkurt, mars, prill, maj dhe për pasojë prodhimet nuk u realizuan konform planifikimeve”, ka thënë profesori Rusinovci për Front Online.

Por, e pranon që fermerët që kanë kultivuar perime kanë dalë ndryshe, nga ata që janë marrë me prodhimin primar siç është gruri e misri.

“Përjashto këtë me perim kulturë diçka është kostoja ndryshe për faktin se çmimet ishin mjaftë të volitshme të prodhimeve finale, qoftë të specit, domates, trangujt e të tjera por që masa dërmuese e fermerëve u zhgënjyen posaçërisht në sipërfaqet e mëdha kultivuese siç është gruri, misri e kulturat e tjera. Çmimet e perimeve ishin dukshëm më të volitshme në treg në raport me vitet e kaluara, për dallim prej fermerëve të grurit që u karakterizuan me çmime shumë të ulëta, madje edhe më të ulëta se sa viti i kaluar”, ka shtuar ai.

Profesori Rusinovci, ka folur edhe për subvencionet dhe grantet që ndahen për bujqit, e për të cilat thotë se janë të domosdoshme, por se duhet të bëhet një kategorizim i mirëfilltë i kulturave strategjike.

“Kujtoj se nuk ka nevojë që çdo kulturë bujqësore të subvencionohet e cila karakterizohet me efekt pozitiv financiar. Ideja është që të mbështeten fermerët e mëdhenj që prodhojnë produkte strategjike siç është gruri, misri do të thotë ku është ushqimi bazë për konsumatorë, qoftë për popullatë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë për kategori të caktuara të kafshëve shtëpiake sepse pa zhvillim të blegtorisë nuk mund të ketë standard popullata, qoftë për mishin, qumështin e nënproduktet e tyre, por një gjë e tillë është e pamundshme të intensifikohet nëse nuk kem prodhimtari të duhur më misrit”, është shprehur Rusinovci, për Front Online.

 

Ministria e Bujqësisë: Edhe në vitin 2024 bujqit do të subvencionohen pothuajse njëjtë sikur në vitin 2023

Ministria e Bujqësisë për vitin 2024 do të ketë një buxhet prej 89.4 milionë euro.

E, nga këto mjete edhe për vitin 2024 do të ketë subvencione për bujqit.

Subvencionet edhe për vitin e ardhshëm do të jenë pothuajse të njëjta me ato të vitit 2023.

Kështu, kanë bërë të ditur për Front Online nga zyra për komunikim e kësaj ministrie.

“Përkrahja e fermerëve përmes Subvencioneve ka filluar para shumë vitesh (2008) me vlerë të vogël të mjeteve, si dhe vetëm për disa kultura. Për fat të mirë, vlera e mjeteve për subvencione ka pësuar rritje nga viti në vit, gjë që ka mundësuar edhe përfshirjen e nënsektorëve të tjerë. Aktualisht përmes Programit për Pagesa Direkte mbështeten 28 nënsektorë dhe në total shuma e mjeteve që përfitojnë fermerët e kalon shumën e 62 milionë Eurove. Edhe në vitin 2024, mbështetja e fermerëve përmes subvencioneve do të vazhdoj dhe përafërsisht do të jetë e njëjtë, si për sektorët që do të përkrahen, e po ashtu edhe sa i përket shumës së mjeteve”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Front Online.

Të pyetur se cilat do të jenë politikat e ministrisë për të stimuluar bujqit që ta punojnë tokën edhe në vitin e ardhshëm, nga ky dikaster kanë bërë të ditur se mbështetja më e madhe për ta është programi i pagesave direkte dhe programi për zhvillim rural.

“Stimulimi më i madh për fermerët nga ana e MBPZHR-së është përkrahja e tyre përmes dy programeve mbështetëse për fermerët: Programi i Pagesave Direkte – Subvencionet dhe Programi për Zhvillimit Rural – Grantet. Natyrisht, që për zbatimin e këtyre dy programeve mbështetëse organizohen sesione informuese për fermerët me qëllim të njoftimit sa më të mirë dhe të drejtë për mundësitë e përfitimit të përkrahjeve që i ofron MBPZHR-ja”, thuhet më tutje në përgjigjen e ministrisë.

Në Ministrinë e Bujqësisë kanë treguar edhe mënyrën se si janë subvencionuar bujqit për vitin 2023, duke ia bashkëngjitur linkun.

Më poshtë e gjeni të bashkëngjitur linkun e Programit për Pagesa Direkte 2023:

https://mbpzhr-ks.net/repository/docs/664__Programi_per_Pagesa_Direkte_per_vitin_2023_compressed1.pdf./

FrontOnline/

 

 

Komento: