Rrëfimi i infermieres që merret me të infektuarit me COVID-19 në Pejë: Nuk e dimë se çfarë na pret deri në mëngjes – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Rrëfimi i infermieres që merret me të infektuarit me COVID-19 në Pejë: Nuk e dimë se çfarë na pret deri në mëngjes

10:23 | 03 Dhjetor 2020

Situata me koronavirus në Spitalin e Pejës vazhdon të jetë e rëndë.

Spitali Rajonal në Pejë ka shumë pak shtretër të lirë për të infektuarit me koronavirus.

Sigurimi i oksigjenit për pacientët si dhe infektimi i stafit janë sfidat më të mëdha për këtë spital në të cilin trajtohen qytetarët e Pejës, Deçanit, Istogut dhe Klinës. Një infermiere e këtij spitali tashmë ka vdekur nga sëmundja COVID-19.

Zhurma e aparaturave dhe frymëmarrje të rënduara janë krejt çka dëgjohet brenda dhomave të spitalit ku po trajtohen pacientët me COVID-19 në Pejë.

Të shpeshta janë rastet kur njoftohet për pacientë të vdekur. Por, puna për stafin vazhdon pa ndërprerë.

Janë rreth 130 pacientë me COVID-19 të shtrirë në Spitalin Rajonal të Pejës, që kanë nevojë për ndihmë. Këtu kanë mbetur të lirë vetëm edhe 39 shtretër.

“Absolutisht jemi të sfiduar. Kapacitetet tona maksimale, sipas vlerësimeve të Këshillit Drejtues, janë 166 shtretër. Sot i kemi 127 pacientë të shtrirë. Pjesa e vendeve të lira në qoftë se ka fluks mund të vijë shpejt te mbyllja dhe sigurisht që atëherë na duhet që të ndërmarrim masa tjera që për neve do të jetë tepër problematike”, thotë zëdhënësi i spitalit, Naim Sahiti.

Si pasojë e rritjes së numrit të pacientëve, Spitali Rajonal i Pejës ka kufizuar disa shërbime, duke shndërruar gjashtë repartee të tjera për të trajtuar të sëmurët me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi i ri.

Furinizimi me oksigjen duket të jetë problem kryesor.

“Fati është se deri tani nuk kemi mbetur pa oksigjen por ajo çfarë është, është një furnizim tepër i vështirësuar dhe është një sfidë tepër e veçantë për neve si spital”, thotë Sahiti.

Drejtuesit e Spitalit të Pejës thonë se mjekët dhe infermierët në veçanti, tashmë kanë filluar të lodhen për shkak të mbingarkesës që kanë.

Hidajete Krasniqi, që drejton infermierinë në këtë spital, thotë se infektimi i stafit po e bënë punën edhe më të vështirë.

“Për momentin i kemi 12 infermierë të infektuar. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe humbjen e jetës së një infermierje, e cila ka qenë pikërsisht në repartin e infektivës që nuk mundi t’i mbijetojë COVID-it. Numri i pacientëve po e shihni që është në rrritje dhe ne çdo ditë nuk e dimë se çfarë na pret ditën tjetër”, deklaron Krasniqi.

Spitali Rajonal i Pejës ka 294 infermierë me kontrata të rregullta pune. Disa prej infermierëve është dashur që nga klinikat ku kanë punuar, të transferohen në gjashtë repartet që trajtojnë rastet me COVID-19.

Në këtë spital trajtohen të gjithë pacientët e infektuar me koronavirus, duke përfshirë ata nga qyteti i Pejës, Deçanit, Istogut dhe Klinës.

Komento: