Rreth 900 mijë banorë të Kosovës janë regjistruar deri sot

10:33 | 29 Prill 2024
rreth-900-mije-banore-te-kosoves-jane-regjistruar-deri-sot

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) organizoi konferencë për media lidhur me ecurinë e punës gjatë Javës së katërt në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë (ReKos 2024). Nga ASK-ja u bë e ditur se deri tash janë regjistruar rreth 900.000 banorë.

Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati ka thënë se sot ishte dita e 24-të e punës në terren.

“Regjistruesit janë aktiv. Nuk kemi refuzim deri tani, por në sistem neve nuk na vjen si i refuzuar. Ne e kemi theksuar se regjistrimi i popullsisë është me ligj e rregulluar. ASK-ja njofton se të gjithë ata që refuzojnë të marrin pjesë do të raportohen”, u shpreh Kastrati.

Kastrati, ka njoftuar se deri në këto momente janë regjistruar rreth 900 mijë qytetarë.

“Pra janë regjistruar rreth 900 mijë banorë deri tash”, u shpreh ai.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i kaluar i popullsisë, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë ka nisur nga data 5 prill dhe do të vazhdojë deri më 17 maj.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërsa, vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera.

Komento: