Rreziku nga koronavirusi, Barcelona dëtyrohet ta marrë këtë vendim

12:29 | 12 Mars 2020

Shumë klube kanë marrë masa pas përhapjes së madhe të koronavirusit në gjithë botën.

Barcelona bëri të ditur të mërkurën se do ta mbyllë akademinë La Masia për dy javët e ardhshme si masa parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit.

Pas vendimit të Federatës së Futbollit të Spanjës për t’i shtyrë të gjithë ndeshjet, përveç atyre në dy ligat e para të futbollit, klubi katalonas ka vendosur t’i lërë lojtarët e rinj t’u kthehen familjeve të veta.

Gjatë këtyre dy javëve, futbollistët do të vazhdojnë të mësojnë nga distanca, përmes videove dhe planeve udhëzuese që u jepen nga trajnerët. Barcelona e përdor një metodë të tillë edhe kur lojtarët ftohen nga ekipet kombëtare, transmeton express.

Koronavirusi ka shkaktuar ndërprerje të disa ndeshjeve edhe në shtetet e njohura në Evropë, ku në Itali janë ndërprerë të gjitha këto aktivitete deri në muajin prill.

Ndërkohë, në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë së Kosovës u mor vendim që të gjitha aktivitetet sportive që do të mbahen në Kosovë deri më 27 mars do të mund të zhvillohen por pa praninë e shikuesve.

Ndërkaq, ministrja e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Inovacionit, Vlora Dumoshi, tha se ngjarjet sportive nuk do të ndalohen, por do të ndalohet pjesëmarrja e shikuesve.

Federata e Futbollit e Kosovës e ka konfirmuar këtë vendim, duke thënë se përderisa ndeshjet në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa tifozë, ndeshjet në kategoritë e juniorëve dhe grupmoshave të reja do të pezullohen përkohësisht, përderisa as lojtarët s’do të përshëndeten me duar para ndeshjeve.

“Të gjitha ndeshjet e futbollit në Kosovë në kategorinë e seniorëve do të zhvillohen pa praninë e publikut deri më 27 mars, 2020, derisa ligat e juniorëve dhe grupmoshave të reja pezullohen përkohësisht (deri në një vendim të ri)”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Në stadiume gjatë zhvillimit të ndeshjeve do të jenë të pranishëm vetëm stafet e skuadrave, zyrtarët e FFK-së, zyrtarët e klubeve, zyrtarët policor dhe përfaqësuesit e mediave”.

“Klubet organizatore të ndeshjeve udhëzohen që të bëjnë vendosjen e dezinfektuesve të duarve në zhveshtore”.

“Po ashtu si masë parandalimi ndaj koronavirusit, ashtu sikurse në vendet tjera evropiane rekomandohet që futbollistët dhe stafet e skuadrave të mos e bëjnë përshëndetjen e zakonshme të dhënies së duarve në fillim dhe në fund të ndeshjes”.

Komento: