Samiti i Berlinit, ja kur do ta bëjë Gjermania prezantimin e agjendës përfundimtare

18:44 | 25 Prill 2019

Me 29 prill pritet që në Berlin të mbahet takimi i liderëve ballkanik.

Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë temë e veçantë diskutimi në Samitin e 29 prillit në Berlin, i cili u ftua nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Ky takim në kryeqytetin gjerman pritet që të jetë një prej zhvillimeve me të rëndësishme të këtij viti sa i përket procesit të normalizimit të raporteve Prishtinë-Beograd.

Sa i përket mundësisë së diskutimit të idesë së korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në këtë takim, në një përgjigje për Gazetën Express nga zyra e kancelares Merkel thonë që “.. nuk mund të parashikojmë për diskutimet e këtij takimi”.

Deri tani nuk dihet në mënyrë zyrtare se cila do të jetë agjenda e takimit dhe se cilat do të jenë temat e diskutimit.

Gazeta Express lidhur me këtë çështje ka drejtuar pyetje në adresë të Qeverisë Federale të Gjermanisë së kancelares, Merkel.

Në përgjigjen e tyre thuhet se agjenda e plotë e këtij takimit do të publikohet të premten, dhe se për momentin nuk mund të jepen detaje të hollësishme.

“Ne iu kemi informuar lidhur me këtë. Por sot s’mund të iu themi asgjë rreth procedurave të sakta. Unë mund t’iu them se për kancelaren Merkel dhe presidentin Makron si nikoqirë të këtij takimit, stabiliteti dhe zhvillimi i mirë i rajonit janë tepër të rëndësishme, dhe me të ftuarit do të diskutojnë rreth sfidave të veçanta me të cilat po përballet rajoni, sidomos raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Qeverisë Gjermane dhënë për Gazetën Expres.

Sipas tyre ky takim në Berlin do të jetë një lloj ‘Konference Ballkanike’, pasi që për kancelaren Angela Merkel dhe presidentin e Francës, Emanuel Macron , ky rajon ka rëndësi të jashtëzakonshme.

Por a do të diskutohet ideja e korrigjimi të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kryeqytetin gjerman.

Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Express nga zyra për media e qeverisë së kancelares gjermane, thuhet se nuk mund të parashikojnë se çfarë mund të diskutohet në këtë takim, por që parimisht qëndrimi gjerman për një çështje të tillë mbetet i pandryshueshëm.

“Natyrisht unë nuk mund të parashikojë për diskutimet e këtij takimi, por në parim vlen si vijon: Qeveria Federale është skeptike për ndryshimet e kufijve, për aq sa ato përbëjnë rrezik për stabilitetin e rajonit”, ka thënë zëdhënësja e kancelarë Merkel, Ulrike Demmer.

Mirëpo detaje lidhur me këtë takim në Berlin mbrëmë në emisionin Pressing të T7, ka dhënë kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka treguar se do të jenë dy takime, njëri nga ta do të jetë specifikisht për temën “Kosovë-Serbi”.

“Shumë është interesante kjo ngjarje, sepse ftohet nga kancelarja Merkel dhe presidenti Makron. Përbërja është e rëndësishme, sepse janë ftuar edhe njerëzit e rajonit tonë. I jepet një peshë e madhe edhe Kosovës. Në këtë takim janë dy ngjarje, dhe të dyjat ndodhin të hënën. Është një darkë nga ora pesë deri në orën shtatë, një darkë formale që do t’i kushtohet krejt rajonit, dhe pastaj një pjesë tjetër që do quhet si vazhdim, e ku do të diskutohet vetëm për temën Kosovë-Serbi”, ka thënë Haradinaj i ftuar në Pressing të mërkurën.

Ai ka treguar se nuk do të ketë takime bilaterale Kosovë-Serbi, dhe ka thënë se në këto takime do të jenë të pranishëm dy nikoqirët, Merkel dhe Macron.

Megjithatë takimi në Berlin nuk po i duket edhe aq me vlerë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, pasi sipas tij pa përfshirjen e SHBA-ve, nuk mund të ndodh kurrëfarë avansimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,

Ndërkohë në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Alekander Vuçiq, po qëndron në Kinë, ku do të takohet me Vladimir Putinin, përpara nisjes për në Berlin.

Sipas mediave ndërkombëtare, në Berlin do të varroset ideja për korrigjim të kufijve, që u ngjiz në Forumin e Aplbachut në Austri, nga Thaçi e Vuçiq. Madje është thënë qe edhe një nga arsyet për mosftesën e kancelarit austriak Sebastian Kurz në Berlin, është mbështetja e hapur që ai i ka bërë kësaj ideje.

Ndër të tjera thuhet që në Berlin, kancelarja Merkel do të provojë të bind edhe presidentin e Francës, Emanuel Macron, që të ketë të njëjtin qëndrim sikurse Gjermania sa i përket idesë për korrigjim të kufijve, pasi që konsiderohet se Franca ka një simpati rreth një ideje të tillë.

Komento: