Pakoja Emergjente Fiskale vlerësohet si e mangët në adresimin e nevojave të sektorit privat.
Sektori privat si kontribuesi më i madh në zhvillimin ekonomik të vendit është goditur jashtëzakonisht shumë nga përhapja e pandemisë COVID19, e sidoqoftë masat e marra përmes Pakos Emergjente Fiskale nga Qeveria, edhe pse të mirëseardhura, po rezultojnë të mangëta në parandalimin e dëmeve, gjersa në aspektin e kompensimit nuk po i trajtojnë drejtë punëtorët e sektorit privat në krahasim me ata të sektorit publik.
Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u vlerësua ndikimi i Pakos Emergjente Fiskale.
Fikret Havollli nga kompania tregtuese Orbico potencoi rëndësinë e përfshirjes së sektorit privat në procese të dialogimit, me ç’rast theksoi se vendimet që rrjedhin nga Pakoja Fiskale Emergjente do të duhej të ishin bërë në koordinim me komunitetin e biznesit, në mënyrë që efekti i saj të ishte zingjiror dhe i qëndrueshëm. Ai tha se shuma e ndarë dhe strukturimi apo përmbajtja e pakos janë dy pika të cilat kanë nevojë të adresohen më tutje. Sipas Havollit, shuma e ndarë për përballimin e kësaj faze është shumë e vogël në krahasim me shtetet e tjera, dhe efekti i saj do të vërehet fare pak.
Milaim Abdullahu nga Santefarm, njëherësh edhe përfaqësues i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës tha se si pasojë e panikës së ashkaktuar nga pandemia, sektori farmaceutik ka hasur një rritje të dukshme disa ditore të kërkesës, e cila pastaj është përcjellur me një rënie drastike pas krijimit të rezervave për medikamente nga qytetarët. Ai tha se Qeveritë duhet të ndalojnë mos-trajtimin e bizneseve si palë të interesit, dhe shprehi dëshpërimin e tij mbi shpalosjen e Pakos Fiskale Emergjente pa asnjë konsultim me sektorin privat.
Sami Makolli nga kompania Rikon gjithashtu theksoi se masat e dala nga kjo pako nuk kanë qenë mirë të sqaruara, gjersa ekziston nevoja për një analizë më të hollësishme që biznesi të e ndjejë efektin e saj. Megjithëse Makolli u shpreh se çdo ndihmesë është e mirëseardhur, ai deklaroi skepticizëm mbi mënyrën e aplikimit të pakos, meqenëse sipas tij mungojnë informata shtesë mbi procedurat e aplikimit.