Serbia ende në heshtje për shpalljen e Radojçiqit në kërkim nga Interpol

21:02 | 08 Dhjetor 2023
serbia-ende-ne-heshtje-per-shpalljen-e-radojciqit-ne-kerkim-nga-interpol

Autoritetet në Serbi po qëndrojnë të heshtura. Megjithatë, opozita atje kritikon presidentin serb Aleksandër Vuçiq për, siç thotë, dëmet që po ia shkakton Serbisë.

Pas lëshimit të urdhrit nga Interpoli, ku Milan Radojiçiq është shpallur në kërkim në bazë të akuzës për kryerje të veprave penale terroriste në Kosovë, ende nuk ka përgjigje nga institucionet e Serbisë. Sipas ekspertëve, cilido vendim i Beogradit do të jetë politik.

“Unë mendoj se përgjigjja pozitive apo negative e Vuçiqit do të varet se çfarë i sjell më shumë dëme politike. Një provë se sa presion të jashtëm ka mbi Vuçiqin, mund të jetë se si MPB-ja dhe prokuroria do të veprojnë në bazë të urdhrit të Interpolit dhe në cilin moment. Nëse ai arrestohet tani, do të thotë se presioni është i madh. Nëse e vonon, mund të konkludojmë se presioni nuk është aq serioz”, tha për RTK avokati Aleksandar Ollenik.

Pasi mori përgjegjësinë për Banjskën, Radojiçiq në Serbi u akuzua për disa krime të rënda, por jo për atë sulm. Ai u urdhërua të mos largohet nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tha se Radojiçiq do të përballet me procedura serioze në Serbi, mirëpo detaje të tjera nuk ka.

Një pjesë e opozitës thotë se u krijua një situatë shumë e pakëndshme për Serbinë.

“Për shkak të politikave të Vuçiqit prapë janë kthyer kërcënimet mbi Serbinë. Vuçiq duhet t’u shpjegojë qytetarëve pse Interpoli kërkon Radojiçiqin dhe 11 persona të tjerë dhe të thotë se çfarë ndodhi në Banjskë. Por pritjet e mia janë të kota, sepse kemi të bëjmë me një regjim që është i njëjti që gjatë viteve të nëntëdhjeta e rëndoi Serbinë me hipotekat e politikave katastrofale dhe shkatërruese”, tha Srgjan Millivojeviq, deputet nga Partia Demokratike në Serbi.

Një pjesë e opinionit në Beograd pyet nëse në Evropë heshtja e Serbisë do të interpretohet si fshehje e veprave kriminale dhe se a mund të flitet për një shtet ligjor në rast të mosrespektimit të vendimeve të Interpolit.

Komento: