
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i caktojnë afat Serbisë për sanksionet ndaj Rusisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur një afat të caktuar Serbisë, që të vendos sanksione ndaj Rusisë.
I dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pret që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë menjëherë pas formimit të Qeverisë.
Në atë mënyrë, ai ua ka bërë të qartë autoriteteve serbe se deri kur do të mund të tolerohen arsyetimet për të mos marrë vendim përfundimtar për sanksionet ndaj Rusisë.
E sipas deklarimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, formimi i Qeverisë së re të Serbisë pritet të ndodhë në fund të korrikut.
Serbia vazhdon të jetë nga vendet e pakta në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, megjithëse kanë deklaruar se bien dakord me rezolutat e dala nga Kombet e Bashkuara si dhe deklaratat e Bashkimit Evropian, që dënonin pushtimin rus të Ukrainës.
E një qëndrim të tillë, autoritetet në Serbi e kanë arsyetuar si “ mbrojtje të interesave jetike të vendit”.
E po ashtu nga Serbia vazhdimisht është përdorur edhe një arsyetim tjetër, duke theksuar se nuk kanë ende zyrtarisht qeverinë e re, e kësisoj ende nuk kanë as edhe një vendim zyrtar.
Kurse zyrtari amerikan, Gabriel Escobar ka deklaruar se shpreson që Serbia do t’i bashkohet vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas formimit të qeverisë së re.
“Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë rëndë dakord në njëfarë mënyrë që ta bëjnë Rusinë të paguajë çmimin për atë (pushtim) përmes sanksioneve, përmes mbështetjes për Ukrainën dhe popullin e saj. Shpresoj se Serbia do t’i bashkohet atij grupi dhe se do të harmonizohet me sanksione kur të formojë qeverinë”, tha Escobar, raporton Nova.rs,transmeton lajmi.net.
Një mesazh të ngjashëm për Serbinë së fundi ka dërguar edhe eurodeputetja, Viola von Cramon, pas një takimi që pati me presidentin serb, Vuçiq.
Ajo tha se i takon presidentit dhe qeverisë së re të vendosin se si do ta trajtojnë Rusinë, teksa tha se në këtë moment nuk është mirë të jesh në anën e presidentit rus, Vladimir Putin.
E për të mos përfunduar me kaq, ditë më parë, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ai rus, Vladimir Putin kanë arritur edhe një marrëveshje, për furnizim me gaz për tri vitet e ardhshme.