Shërohen nëntë punëtorë të KEK-ut nga Koronavirusi

16:00 | 26 Qershor 2020

Nëntë punëtorë të KEK-ut shërohen nga Covid-19.

Në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) bëjnë të ditur se janë shëruar nëntë punëtorët që rezultuan pozitivë me Covid-19 në fillim të këtij muaji, transmeton Klan Kosova.

Ndërsa në anën tjetër 4 punëtorët që kanë rezultuar pozitivë në javën e fundit janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Nga KEK bëjnë të ditur se nga fillimi i këtij muaji e deri me sot kanq qenë gjithsejtë 13 raste që kanë rezultuar pozitiv me Covid-19.

“Në vetë izolim, kanë qenë njëqind e katër (104) punëtor, gjashtëdhjetë e katër (64) prej tyre e kanë përfunduar vetë izolimin prej 14 ditësh dhe janë ftuar që të rifillojnë punën pasi që nuk kanë simptome të infektimit me virus”.

“Në këtë drejtim, KEK vazhdon të jetë në kontakt të vazhdueshëm me 4 kolegët tanë që janë akoma aktiv me këtë virus duke përcjellur gjendjen e tyre shëndetësore edhe pse deri më tani gjendja e tyre është stabile”.

“Për më tepër, KEK-u në bashkëpunim të ngushtë me IKSHPK-në, po vazhdon të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme në mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19”.

“Në vazhdën e masave mbrojtëse dhe në respektim të rekomandimeve nga IKSHPK-ja, Komiteti i sigurisë dhe KE pas analizimit të situatës ka vendosur të rikthej orarin e punës në 12 orë, hap ky që ka shmangur në masë lëvizjen e punëtorëve të cilët udhëtojnë nga të gjitha trevat e Kosovës”.

“Në fund, menaxhmenti i KEK-ut, bënë apel edhe njëherë tek të gjithë punëtorët që të jenë vigjilent kudo që ndodhen në respektimin e rekomandimeve të IKSHKP-së, duke mbajtur distancën sociale dhe gjithashtu përdorimin e pajisjeve të nevojshme mbrojtëse. Veprime këto të domosdoshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.

Komento: