Shifra alarmante, spitale të ngarkuara nga Covid-19 në Kosovë.

19:47 | 05 Dhjetor 2020

Pandemia në Kosovë me shifra alarmante, mbingarkohen spitalet

Pandemia Covid-19 në Kosovë ka arritur në shifra alarmante si asnjëherë më parë përgjatë këtyre muajve. Aktualisht në vendin tonë janë rreth 14 mijë raste aktive me Sars-Cov-2, nga të cilët mbi 1 mijë janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare dhe në spitalet rajonale.

Në katër njësitë Covid në QKUK janë të shtrirë 344 pacientë, prej të cilëve nëntë janë në respiratorë, 17 me metodën CPAP maskë dhe 253 pacientë të tjerë me oksigjenoterapi.

Ndërsa në spitale rajonale po trajtohen 596 pacientë, prej të cilëve dy në respiratorë, 22 me CPAP maskë dhe mbi 440 me oksigjenoterapi.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar doktor Valbon Krasniqi ka thënë se spitalet janë të mbingarkuara dhe gjendja është mjaft e vështirësuar, për shkak se rreth 70 për qind e pacientëve janë me oksigjeno terapi. Për këtë arsye ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar.

Ndonëse është raportuar për mungesë të oksigjenit në spitale, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka thënë se Kosova ka siguruar sasi të mjaftueshme.

Tutje Zemaj ka bërë të ditur se qendrat rajonale të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, do të fillojnë të bëjnë teste me metodën Real Time PCR.

Aktualisht në Kosovë janë në fuqi masat sipas kategorizimit në zonën e kuqe, të verdhë dhe të gjelbër. Në zonën e kuqe janë mbi 20 komuna të cilat i kanë mbi 150 raste në 100 mijë banorë.

Më së shumti raste për 100 mijë banorë i ka komuna e Prishtinës. Kryeqyteti prin me mbi 800 raste për 100 mijë banorë vetëm në javën e fundit.

Në Kosovë që nga muaji shkurt deri më sot janë testuar rreth 150 mijë persona për koronavirus, prej të cilëve në total kanë rezultuar pozitiv rreth 42 mijë.

Ndërsa numri i viktimave nga kjo sëmundje ka arritur në mbi 1 mijë e 70 raste.

Komento: