Shiriti i kapitenit, Granit Xhaka e bën për ‘pesë pare’ Xherdan Shaqirin – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Shiriti i kapitenit, Granit Xhaka e bën për ‘pesë pare’ Xherdan Shaqirin

11:12 | 06 Shtator 2019

Xherdan Shaqiri nuk ka pranuar të luaj për Zvicrën në dy ndeshjet e fundit kualifikuese ‘Euro 2020’. Kjo siç kanë raportuar mediat zvicerane ka të bëjë me shiritin e kapitenit, gjë që është mohuar nga lojtari.

Sidoqoftë, Granit Xhaka ka ofruar ta dorëzojë shiritin e kapitenit të Kombëtares së Zvicrës nëse kjo gjë do të ndikojë që ylli i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, të kthehet në skuadrën e Kombëtares helvetike.

Ylli i Liverpoolit nuk e pranoi ftesën e Zvicrës për të marrë pjesë në dy ndeshjet e radhës, në kuadër të kampanjës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 – kundër Irlandës, që përfundoi 1:1 të enjten, dhe kundër Gjibraltarit, që do të zhvillohet të shtunën, transmeton Express.

Fillimisht, Kombëtarja e Zvicrës njoftoi se Shaqiri s’e ka pranuar ftesën pasi që dëshiron të përqendrohet te Liverpooli. Megjithatë, gazeta zvicerane Blick zbuloi se Liverpooli nuk është duke mbajtur stërvitje pasi që trajneri Jurgen Klopp u ka dhënë të gjithëve pushim.

Pas këtij lajmi të Blickut, mediat zvicerane raportuan se arsyeja e vërtetë prapa mungesës së Shaqirit është emërimi i Granit Xhakës si kapiten i skuadrës, pasi që pretendohet se Shaqiri kishte dashur të jetë ai kapiten.

Teknikisht, ish-mbrojtësi i Arsenalit, Stephan Lichtsteiner, është ende kapiteni i parë i Zvicrës, mirëpo ai nuk është ftuar për këto ndeshje pasi që nuk e dëshmoi veten gjatë turneut parasezonal.

Lichtsteiner do të mbetet kapiten i parë i Zvicrës deri sa të pensionohet nga Kombëtarja ose vetë Kombëtarja të bëjë të ditur se ai nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Deri atëherë, Xhaka do ta ketë përgjegjësinë e kapitenit.

“Nëse shiriti i kapitenit është me të vërtetë problemi, atëherë ne mund të ulemi së bashku në një tavolinë. Ne jemi të mjaftueshëm të rritur për të diskutuar për këtë gjë”, ka thënë Xhaka pas barazimit në Dublin.

“Nëse ai me të vërtetë është i pakënaqur për shiritin e kapitenit, atëherë ai mund ta marrë shiritin e kapitenit. Kjo nuk paraqet problem për mua. Nuk ka rëndësi nëse atë e mbaj unë ose jo. Unë dua të jap gjithçka për këtë skuadër, qoftë kjo me shirit apo jo”.

Komento: