shpenzimet e ministres Rizvanolli për udhëtime, dreka e mëditje

15:21 | 26 Dhjetor 2021

Këto janë shpenzimet e ministres Rizvanolli për udhëtime, dreka e mëditje

Kabineti politik i Ministres së Ekonomisë për 9 muaj ka bërë mbi pesë mijë euro shpenzime për udhëtime zyrtare, akomodim, mëditje e dreka zyrtare.

Nga të dhënat që ka siguruar Demokracia.com përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, shihet se ministrja Artane Rizvanolli gjatë kësaj periudhe shpenzoi 1 mijë e 763 euro.

Ministrja e shumëpërfolur këtyre ditëve ka shpenzuar 313.95 euro për udhëtime zyrtare, ndërsa për akomodime shpenzoi gati dyfishin, gjithsej 604.43 euro.

Për dreka zyrtare, ministrja Rizvanolli harxhoi 480.9 euro. Nga kjo ministri, për Demokracia.com kanë sqaruar se këto para u harxhuan në dreka të ndryshme dhe janë gjithsej katër fatura me shumat 130.40 euro, 34.50 euro, 242.00 euro dhe 73.00 euro.

Si mëditje, Rizvanolli mori 237.2 euro, ndërsa për gjëra tjera që nuk janë sqaruar në dokumentet që i ka siguruar Demokracia.com, ajo shpenzoi 126.97 euro.

Këshilltarja e Rizvanollit, Edita Pozhegu, del të jetë e dyta pas ministres me më shumë para të harxhuara për udhëtime, akomodim, dreka e mëditje.

Pozhegu për udhëtime jashtë vendit shpenzoi më shumë se vetë ministrja Rizvanolli, 721.43 euro. Vlerë të lartë pati edhe akomodimi i saj, 608.12 euro. Si mëditje, këshilltarja politike mori 78 euro, ndërsa shpenzime tjera pati 35 euro. Vlera e shpenzime të saj arrin në 1 mijë e 442.55 euro.

Zëvendësministri Mentor Arifi vetëm për udhëtime zyrtare shpenzoi plot 660.72 euro, ndërsa për akomodim i harxhoi nga buxheti i shtetit 470.2 euro. Shuma e plotë e shpenzuar nga Arifaj është 1 mijë e 130.92 euro, raporton Demokracia.com.

Këshilltari politik, Milot Kelmendi, gjithashtu shpenzimet i bëri vetëm për udhëtime zyrtare dhe për akomodim. Ai shpenzoi 378.95 euro për udhëtimet zyrtare jashtë vendit dhe 360 euro për akomodim, gjithsej 738.95 euro.

Këshilltari tjetër politik, Agim Mazreku, përveç udhëtimeve zyrtare dhe akomodimit, pati edhe shpenzime të tjera.

Ai për udhëtime zyrtare jashtë vendit shpenzoi 248.4 euro. Për akomodim shpenzoi 272 euro, ndërsa shpenzime të tjera pati 130 euro. Shuma e gjithë shpenzimeve të tij kap vlerën e 650.4 euro.

Këshilltarja tjetër politike, Anyla Beqa, mori vetëm si mëditje 52 euro.

Kabineti politik i ministres Rizvanolli për 9 muaj, prej marsit e deri më tani, ka harxhuar nga buxheti i shtetit 5 mijë e 356.3 euro për udhëtime zyrtare, akomodim, mëditje, dreka zyrtare e shpenzime të tjera

Komento: