Shpenzimet enorme në dasmat kosovare, flet sociologu – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Shpenzimet enorme në dasmat kosovare, flet sociologu

09:13 | 03 Korrik 2019

Çka thotë sociologu për dasmat kosovare.

Në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini është diskutuar për dasmat dhe mënyrat se si organizohen ato në shoqërinë tonë.

Sociologu Besim Gollopeni ka thënë se dasmat në gjithë botën janë ngjarje e veçantë e jetës si për çiftin, por edhe për rrethin familjar.

Ai ka thënë se është shqetësuese se kostot e dasmave në Kosovë kapin shuma marramendëse, pavarësisht gjendjes sociale dhe ekonomike që ka familja.

“Nëse shpenzohen 10 mijë euro për një dasmë dhe njëri apo dy parterët janë të papunë, shuma e tillë është mjaft e lartë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Gollopeni thotë se duke ditur peshën e një dasme në shoqërinë tonë, familja shet pasuri të luajtshme apo të paluajtshme madje edhe duke u futur në kredi në institucionet financiare vetëm për të plotësuar dëshirën e dasmorëve dhe familjarëve.

“Kam përshtypjen se ne shqiptarët jetojmë jetën për të tjerët e jo për vetën. Më shumë mërzitem si dukem para audiencës sesa si ndjehem si çift. Pra krejt kohën ne mendojmë se si do të dukemi në rrjetet sociale, si po reflektojmë te miqtë etj.”.

Sociologu thotë se është edhe dukuri e çuditshme që në dasmat tona ftohen edhe persona që ndoshta nuk i njohim.

“Ne ftojmë shokët e shokëve, shokët e gjyshit, gjyshes etj., duke u munduar të respektojmë të gjithë…Ne bëjmë dasma aq të mëdha sa që nuk njohim një pjesë të ftuarve madje as anëtarët e familjes nuk i njohin ata”.

Gollopeni thotë se nëse nuk ftohen miqtë e gjyshit kemi frikë se mos prishet atmosfera e dasmës.

“Por edhe nëse ftohen 1,000 dasmorë, i pakënaqur do të jetë i 1,001-ti. Ai do të thotë si ka mundur t’i ftojë një mijë veta e mua nuk më ftoi”, tha Gollopeni.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!