Shteti obligon teknikët e Radiologjisë që t’i kthejnë nga 180 euro për pagat e tetë muajve

20:46 | 19 Tetor 2023
shteti-obligon-tekniket-e-radiologjise-qe-t’i-kthejne-nga-180-euro-per-pagat-e-tete-muajve

Rreth 200 euro më pak, teknikët e Radiologjisë do të marrin tash e tutje. Kjo pasi që koeficienti i pagave të tyre u ul nga 5.6 në 5.3.

Kjo gjë, sipas nënkryetarit të Sindikatës së QKUK-së, Agron Kryeziu, ka shkaktuar probleme duke ndikuar drejtpërsëdrejti në mirëqenien e këtyre punonjësve.

Në një intervistë për emisionin KIKS Kosova, Kryeziu ka thënë se ata nuk ishin njoftuar fare për këtë ulje të pagës.

“Në listën e pagave dhe Ligjin e Pagave nuk parashihet që teknikët e Radiologjisë të kenë koeficient 5.3. Ne jemi me koeficient 5.4, në nivelin parësor, kurse në ShSKUK, që është niveli terciar, për teknikët e Radiologjisë parashihet koeficienti 5.6. Ne i kemi marrë që tetë muaj me koeficient 5.6. Jemi prekuar në paga pa u njoftuar. Ne veç e kemi pa që rrogat na kanë dalë me zbritje”, tha ai.

Për më tepër, Kryeziu njoftoi se teknikët e Radiologjisë janë obliguar që t’i kthejnë nga 180 euro për muajt që i morën pagat me koeficient 5.6. Gjë që pohon se ndikoi në mirëqenien e tyre.

“Na kanë obliguar që t’i kthejmë paratë që i kemi marrë, nga 180 euro për muaj, për tetë muaj. Kjo situatë ka shkaktuar probleme. Ka shumë persona që janë në kredi. Unë kam biseduar me kryetarin e Komisionit për Menaxhimin e Koeficientit, Alban Janova që ndalesa të mos bëhet menjëherë 180 euro, sepse prek direk mirëqenien e teknikëve”, u shpreh Kryeziu.

Kundër uljes së koeficientit, teknikët kanë menduar edhe ndërmarrjen e veprimeve sindikale, megjithatë, ata presin se këta hapa nuk do të jenë të nevojshëm për shkak të premtimeve që kanë marrë nga drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkendije Nuza.

“Na kanë premtuar se do të shohin dhe do të gjejnë një zgjidhje. Më është propozuar që të reagojë, me protestë, grevë. Ne do të marrim hapa, do të ankohemi nëse kjo nuk zgjidhet. Por, unë po shpresoj që kemi përkrahje të plotë nga drejtoresha e Klinikës dhe kryeinfermierja. Meqë kemi pasë këtë takim, ne nuk kemi marrë asnjë veprim”, shtoi nënkryetari i Sindikatës së QKUK-së, Agron Kryeziu.

Komento: