Shtyhet ndeshja Maqedoni – Kosovë?

23:29 | 13 Mars 2020

Koronavirusi ka bërë që të merret vendimi për pezullimin e shumë aktiviteteve sportive.

Maqedonia dhe Kosova mund të mos përballen mes vete në fund të muajit mars në play-off të Nations League, me dy skuadrat që duan një biletë për finale para se të kërkojnë Kmapionatin Evropian.

FIFA ka propozuar që të gjitha ndeshjet internacionale të planifikuara për mars dhe prill, të shtyhen për kohë të pacaktuar.

Ky propozim ka ardhur përmes komunikatës që FIFA ka lëshuar në faqen e saj zyrtare. E gjithë kjo si masë parandaluese për përhapjen e virusit vdekjeprurës, koronavirus.

“Për të shmangur rreziqet e panevojshme shëndetësore dhe gjithashtu situatat e padrejtësisë së mundshme sportive, ju rekomandojmë që të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të planifikuara më parë të zhvillohen në Mars dhe Prill, tani duhet të shtyhen deri në atë kohë që ato të mund të zhvillohen në një mjedis të sigurt, për lojtarët dhe për publikun e gjerë”, shkruhet mes tjerash në njoftimin e FIFA-s.

FIFA tha se vendimi për t’i ndërprerë ndeshjet tani i takon organizatorëve të garës dhe Federatave për takime miqësore.

Për të treguar se FIFA e ka seriozisht, ka konfirmuar se kësaj radhe futbollistët nuk janë të obliguar të luajnë për Kombëtaret e tyre.

Pra, nëse një klub nuk do ta lëshojë një futbollist të luajë për vendin e tij, nuk është i obliguar, është liruar zyrtarisht nga FIFA.

“Duke parë situatën e krijuar për koronavirus, FIFA ka vendosur që rregullat e përgjithshme të futbollit që normalisht i detyrojnë klubet të lëshojnë lojtarët për ndeshjet e ekipit kombëtar nuk do të aplikohen për ndeshjet e marsit dhe prillit”.

Pra tani i takon UEFA-s që të vendosë për anulimin e ndeshjeve të marsit dhe prillit,

Sporti anë e mbanë botës është paralizuar tashmë, me shumë kampionate që janë ndërprerë, si dhe kualifikueset e CONCACAF e ato të CAF janë suspenduar.

Komento: