Shuarja e AKP-së, ekspertët e ekeonomisë e vlerësojnë si dukuri normale

21:47 | 29 Maj 2021

Hapi i parë për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit tashmë është bërë.

Kuvendi i Kosovës ditën e enjte ka votuar për shkarkimin e Bordit të kësaj agjencie.

Në fjalën e tij kryeministri Kurti tha se po e përmbushin një premtim të fushatës.

“Kemi thënë se do të shuhet dhe AKP do të shuhet”, ka deklaruar Kurti në Kuvend.

Profesori Sejdi Rexhepi thotë se shuarja e AKP-së është një dukuri normale.

“Shuarje e AKP-së është një dukuri normale pasi agjencione të ngjashme janë formuar vetëm në vendet në tranzicion. Detyra primare e këtij agjencioni ishte privatizimi i pasurisë shtetërore”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Sejdi Rexhepi.

Profesori thotë se Fondi Sovran nuk do ta ketë detyrë primare privatizimin.

“Fondi Sovran detyrë primare e ka që fondin e këtyre pasurive ta rrisë dhe sipas nevojës ta përdorë atë pasuri”, deklaroi më tej Rexhepi, përcjell Telegrafi.

Gazetari Visar Prebreza i cili është marrë me hulumtimin e këtyre privatizimeve, thotë se jo gjithçka shkoi mirë.

“Është shitur tokë me një euro, janë shituar toka me 7 euro, janë shitur toka në lokacione shumë të rëndësishme me çmime shumë të ulëta. Duhet analizuar i gjithë procesi i privatizimit”, thotë Prebreza.

Qeveria thotë se Bordi i ri i AKP që do të zgjidhet ditëve në vijim do të punojë në shuarjen e kësaj agjencie.

Komento: