Shumë qytetarë kaluan të shtunen në Brezovicë, nuk respektohen masat anti-COVID

21:31 | 12 Dhjetor 2020

Nuk respektohen masat anti-COVID.

Pavarësisht se shifrat e rasteve të reja dhe ato të vdekjeve në vend si pasojë e koronavirusit mbesin alarmante, shumë qytetarë vazhdojnë të mos i respektojnë masat e Qeverisë kundër shpërndarjes së COVID-19.

Të shtunën, përdorues të shumtë të rrjeteve sociale kanë publikuar fotografi të dhjetëra autobusëve e qindra veturave, që në mënyra të organizuara kishin shkuar drejt Brezovicës. Pamjet tregojnë qindra të rinj që nuk respektojnë as masën e distancës, por as nuk mbajnë maska.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë shkurt se kanë intervenuar dhe kanë larguar turmat e njerëzve, por nuk kanë pranuar të tregojnë sa gjoba janë shqiptuar. Ndërsa në raportin 24-orësh të Policisë bëhet e ditur se të premten janë shqiptuar 895 gjoba për masat anti-COVID.

KOHA ka raportuar vazhdimisht se si qytetarë të shumtë nuk po i respektojnë masat kundër koronavirusit.

Deri tash në nivel vendi janë regjistruar 46 mijë e 118 raste me COVID-19. 1186 kanë humbur betejën me virusin. Janë edhe 11868 raste aktive.

Komento: