Si pritet të jetë moti nesër dhe pasnesër në Kosovë

19:15 | 30 Korrik 2020

Edhe në ditët në vijim në Kosovë pritet të jetë mot shumë i nxehtë.

Dita e fundit e muajit korrik do të shoqërohet me mot shumë të nxehtë, e pasdite më vonë depërtimi i një fronti të ftohtë në lindje të rajonit, do të sjellë kushte për zhvillime për rrebeshe shiu me bubullimë, bën të ditur Prishtina Ëeather.

Shërbimi i meteorologjisë njofton se kushte për të reshura shiu paraqiten edhe ditën e shtunë që nga orët e mëngjesit. Gjatë ditës reshjet pritet të pushojnë.

Ditën e shtunë dhe diel, temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë përreth vlerave mesatare, thekson PË.

Sipas PË, të dielën sërish priten kthjellime, e nga e hëna temperaturat maksimale përsëri rriten mbi 30C.

“Indeksi i rrezeve UV mbetet në vlera shumë të larta, ndaj dhe duhet t’i përmbahemi rekomandimeve për mosqëndrim të gjatë në diell orëve të mesditës”, paralajmëron shërbimi i meteorologjisë.

Parashikimi për 31 korrik dhe 1 gusht:

31.07.2020 – Mbetet mot shumë i nxehtë, paradite kryesisht me diell. Pasdite pjesërisht vranët, e më vonë priten mundësi për rrebeshe shiu me bubullimë. Temperaturat në vise të ulëta 18C deri 36C, e në vise malore 15C deri 27C. Fillimisht do të fryjë erë e lehtë nga jugperëndimi-perëndimi 1-4m/s, e pasdite më vonë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga verilindja 6-12m/s. Indeksi UV: 9.

1.08.2020 – Jo shumë nxehtë, me vranësira dhe diell. Që herët në mëngjes paraqiten kushte për reshje lokale shiu me bubullimë. Ditën reshjet pushojnë. Në mbrëmje kthjellime. Temperaturat në vise të ulëta do të luhaten nga 18C deri 32C, e në vise malore 14C deri 23C. Do të fryjë erë mesatare nga veriu 5-11m/s. Indeksi UV: 8.

Komento: