Sipërfaqësorja e famës publike

10:30 | 23 February 2020

Zyrtarët e tranzicionit, por jo vetëm zyrtarët, kanë afinitetet e tyre për të stimuluar shkallën e propagandës dhe të estetizimit “viktimizues”. Sa më viktimë, aq më hero! Sa më pak fjalë aq më i ditur! Sa më pak punë aq më i ndershëm!

Ende rrinë parasysh paradat impresive të ushtrive dhe të rinisë organizuar nga diktatorë të mëdhenj të shek XX, në të cilat efektet vizuale krahas estetizimit predikues, impononin sinjale të pastra politike e ideologjike. Se pushteti magjik nuk është i dobët sa është i dobët subjekti i tij – njeriu që duhet të forcohet vazhdimisht përmes misionit “historik”. Të bëhet dhe të dëshmohet përherë forca e tij! Njeriu më i fortë se çeliku!

Ku ra komunizmi në ish-shtetet e komuniste u ridefinua theksueshëm ky lloj estetizimi impulsiv, në shumë pamje edhe primitiv, pasi mungesa e parave dhe ç’thurja e sistemeve të ndikimit bëri që të humbë interesi për organizimin e manifestimeve të shtrenjta sa për sy e faqe. Apo, tani, pothuaj në të gjitha shtetet ish – komuniste, këto manifestime janë reduktuar në masën më të vogël dhe refleksionet që vërehen ende, janë më të pranishme në veprimtaritë psuedopolitike, pseudopatriotike, pseudokulturore e pseudointelektuale, të cilat jo rrallë rrëshqasin edhe në kaos.

Estetizimi i tillë sistemik nxit shmangien për të parë më mirë realitetin një qytetar i zakonshëm. Zhurma, kështu, edhe sot, e humb fjalën racionale, e mund atë, dhe në fund të fundit, e bënë të ndëshkueshme, nga afeksioni i prodizimit. Ndërsa, parodizimi i realitetit është vetë realiteti estradë.

Edhe shoqëritë postdiktatoriale, kështu, ndjehen të afërta me sisteme institucionale që instalojnë konceptet primare ideologjike për çdo gjë publike, që nga kultura, arsimi e shkenca e deri tek art-adhurimet. E njohur si katarzë zyrtare ky art-adhurim, na vjen si katarzë kolektive dhe jo rastësisht, në këtë kontekst estetizues, Adorno, artin e tillë jo-autonom, e cilëson si parodi të katarzës.

Mjafton të vërehet më seriozisht nxjerrja e fakteve nga konteksti, përmes të cilave transformohet kategoria e manipulimit estetik-ideologjik edhe sot e kësaj dite.

Duke i përdorur përvojat e shteteve totalitare që kanë kaluar nëpër raporte e procese të ngjashme, qofshin ato fashiste apo komuniste, zyrtarët e tranzicionit, por jo vetëm zyrtarët, kanë afinitetet e tyre për të stimuluar shkallën e propagandës dhe të estetizimit “viktimizues”. Sa më viktimë, aq më hero! Sa më pak fjalë aq më i ditur! Sa më pak punë aq më i ndershëm! Kjo është fama. Kjo do vlerësim, do dekorata! Por do parafrazuar shkrimtarin francez Honore de Balzak se kush kërkon dekoratë, nuk e meriton, ai që e meriton, ajo as që i nevojitet.

Kështu, publiku nuk e ka shumë të qartë të dallojë se në ç‘masë bëhet falsifikimi i realitetit ngase është i rënduar me hallet jetësore. Ndërsa intelektualët duan të mbeten në skutën e rehatisë, për të mos pasur telashe me presionet e dhunshme verbale, shpifjet dhe kërcënimet që të shumtën, vijnë nga estradizimi agresiv publiko-politik.

Në këtë proces të estetizimit “latent” kompontohet lavdërimi i “prijësve” dhe sharja e “qytetarëve”. Politika e opinioneve kështu me një intensitet të madh stimulon atmosferën emocionale, duke krijuar procese atipike kulturore e sociale. Sforcohet imponimi agresiv, kërcënues dhe iracional, shpesh i vënë ndërmjet magjisë dhe mistikes, për të krijuar produktin e ri, me shenja të virtualitetit simbolik. Ende në shoqërinë tonë njerëzit shihen si mite! Shpëtimtar dhe “të shenjtë’! Politikan mit! Intelektual mit! Biznismen mit! Hoxhë mit! Prift mit! Mitet aktuale të krijuara apo të futura dhunshëm në “memorien kolektive”, në fakt, janë surrogate të miteve eksterierë, por që ushqimin e marrin nga një frikësim rinovues (si energjia e prodhuar nga era) nga e kaluara ideologjike dhe pasiguria për të ardhmen. Në horizontin e tillë virtual, frika jeton si trimëri epiko-folklorike.

Edhe mitet e vogla, të tipit të pseudoheronjve apo folklorheronjve, funksionojnë mbi modelin e fabrikës prodhuese për të dizejnuar paqen sociale. Me një vetëdije e atmosferë të tillë ekstreme të të krijuarit entuziast, është fare e kuptueshme, pse ndodh përzierja e të përgjithshmes me personalen

Pra, estetizimi publik ka një subjekt moral të madhëruar dhe ai është heroi, secili i bën heronjtë e vet dhe nuk i pranon të tjetrit, heronjtë e familjes, të lagjes, të fshatit, të provincës, të partisë, të asgjësë etj. Nuk gjen në këto hapësira evropiane kaq shumë heronjë?!

Estetizimi publik për të qenë më efektiv duhet të jetë sa më i sipërfaqshëm. Nuk është e nevojshme mendja, por emocioni, të koturit me sy gjysmë mbyllur. Këto forma të estetizimit herët a vonë e kanë koston, pasi pengojnë formimin e sistemeve stabile e funksionale demokratike përkatësisht bëjnë që në vend të tyre të funksionojnë surrogatet, të cilat hapin procesin e degradimit të individit dhe të demokracisë. Kjo, pastaj shprehet si degradim publik, etik dhe kulturor.

Por kjo përmasë imponimi, pra si famë rasti, është një helm që duhet të merret në doza të vogla, siç do të thoshte Honore de Balzak. Por, para se të merrret në doza të vogla duhet ditur se çfarë në të vërtetë është fama dhe sa e si meritohet ajo.

Komento: