Situata në Deçan/ Dy vdekje të dyshimta gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria nis hetimet

10:26 | 13 Korrik 2021

Gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Deçanit kanë ndodhur dy raste të vdekjes të cilat janë cilësuar si “vdekje të dyshimta”.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai tha se për shkak të situatës së krijuar, nën dyshimet me helmim nga uji i pijshëm, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”.

Ndryshe, mbrëmë Indeksonline raportoi se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan kishte fluks të pacientëve që kërkuan ndihmë mjekësore.

Po ashtu dje drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, mohoi se mund të ketë kontaminim eventual të ujit, sipas analizave dhe rezultateve të deritashme.

Ramadani ka thënë se janë marrë mostrat e analizimit të ujit të gjashtë fshatrave të Deçanit për të parë arsyet e ankesave të qytetarëve.

“Mostrat kanë rezultuar në kufijtë e së lejueshmes në bazë të standardeve të Bashkimit Evropian”, tha ai teksa shtoi se duhet të priten analizat përfundimtare edhe për disa orë.

Komento: