Spanja jep dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Spanja jep dritën jeshile për liberalizimin e vizave për Kosovën

18:42 | 24 Qershor 2022

Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se vendi që ai drejton është i gatshëm të pranojë që Bashkimi Evropian t’ia mundësojë Kosovës liberalizimin e vizave.

“Spanja ka një qëndrim konstruktiv dhe ne jemi të hapur për miratimin e kësaj heqjeje vizash për Kosovën”, tha presidenti në një konferencë për shtyp në fund të Këshillit Evropian në Bruksel, të cilës i parapriu të enjten në mëngjes një takim me liderët të Ballkanit Perëndimor, shkruan Infolibre.

Megjithatë, Këshilli Evropian ende nuk i ka dhënë dritën jeshile kësaj mase, ndër të tjera për shkak se pesë shtete anëtare të tij Spanja, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia nuk e njohin Kosovën si të pavarur.
Këshilli i BE-së që u mblodh dje e sot, ka publikuar konkluzionet përfundimtare nga takimi, kurse heqja e vizave s’përmendet askund.

Krejt çka thuhet për Kosovën në këtë dokument është urgjenca që Kosova dhe Serbia të bëjnë progres në normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut.

“Këshilli Evropian ripohon urgjencën për të bërë përparim të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht Dialogu Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në konkluzione.

Pritjet që liberalizimi i vizave të diskutohet në takimin dy ditor të Këshillit të BE-së s’u realizua, madje çështja as nuk është përfshirë në konkluzionet përfundimtare të Këshillit.

Heqja e vizave për kosovarët s’u përmend as në konferencën e përbashkët të Presidentit të Këshillit të BE-së, Michel, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Kosova u përmend vetëm nga presidenti i Këshillit, Michel, në kontekstin e përkrahjes së dialogut Prishtinë – Beograd.

Komento: