S’po i pëlqen Serbisë që Kosovës iu hoqën vizat

20:35 | 18 Prill 2023

Serbisë s’po i pëlqen që Kosovës iu hoqën vizat.

Serbia ka kritikuar vendimin e Parlamentit Evropian (PE) i cili të martën ka miratuar heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se si mund të shpërblehet Kosova kur e njëjta vazhdon të mos respektojë aspekte të zotimeve të marra në të kaluarën.

“Si shpërblehen ata që për dhjetë vjet kanë refuzuar të respektojnë dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit?”, pyeti ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq në një pyetje retorike, duke folur para gazetarëve serbë në Strasburg, transmeton Klankosova.tv.

Shefi i diplomacisë serbe ka reaguar kështu ndaj dritës jeshile të dhënë sot nga Parlamenti Evropian që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë në territorin e komunitetit pa viza deri në 90 ditë nga 1 janari 2024.

“Është një vendim shumë i keq dhe një mesazh (i keq) për procesin e negociatave të normalizimit (të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit), veçanërisht kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave [me shumicë, shën.red.] serbe”, ka theksuar Daçiq, cituar nga mediat serbe.

Aktualisht, Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës kanë nevojë për vizë për të hyrë në BE.

Komento: