
Një sulm i madh kibernetik ka shkaktuar alarm në Lihtenshtajn, pasi hakerë të panjohur fituan akses të paligjshëm në regjistrin e pronarëve përfitues të vendit dhe kopjuan të dhëna që lidhen me rreth 31,000 kompani, fondacione dhe truste.
Qeveria e principatës njoftoi se shkelja ndodhi natën e 29-30 korrikut, kur autorët arritën të fitonin akses të paautorizuar në sistemin e informacionit dhe të kopjonin të dhënat përpara se autoritetet kompetente të zbulonin aktivitet të dyshimtë dhe ta nxirrnin platformën jashtë funksionit.
Sipas gjetjeve fillestare të hetimit, kriminelët kibernetikë morën kopje të të dhënave të afërsisht 31,000 subjekteve juridike që ishin të regjistruara në regjistrin e pronarëve përfitues.
Regjistri u krijua në vitin 2021 si pjesë e forcimit të masave për të luftuar pastrimin e parave dhe përfshin informacion mbi individët që kontrollojnë ose në fund të fundit përfitojnë nga kompanitë dhe strukturat e tjera ligjore.
Lihtenshtein, një nga shtetet më të vogla, por më të pasura në botë, pret mijëra kompani dhe truste, duke përfituar nga regjimi i tij i favorshëm tatimor.
Bankat nuk u prekën. Autoritetet thanë se nuk kishte asnjë tregues se të dhënat ishin manipuluar ose fshirë.
Në të njëjtën kohë, kreu i Shoqatës Bankare të Lihtenshtajnit, Simon Triebelhorn, tha se sulmi kibernetik nuk ndikoi në bankat e vendit ose në të dhënat e klientëve të tyre.
“Ky është një incident i pafat që nuk duhet nënvlerësuar”, tha ai.
Ngrihet ekipi i menaxhimit të krizave
Qeveria e Lihtenshtajnit njoftoi se ka ngritur një ekip të posaçëm për menaxhimin e krizave, të udhëhequr nga kryeministrja Brigitte Haas dhe ministri i Drejtësisë Emmanuel Sendler.
Në të njëjtën kohë, autoritetet kompetente janë në proces të informimit të personave fizikë dhe juridikë që mund të jenë prekur nga rrjedhja e informacionit, ndërsa hetimet për identitetin e autorëve dhe shkallën e shkeljes vazhdojnë.