
Një 36-vjeçar në Brazil është arrestuar pasi dyshohet se kishte planifikuar të vriste djalin e tij 8-vjeçar dhe më pas veten. Sipas autoriteteve, burri kishte zhvilluar për më shumë se dy muaj biseda me ChatGPT, duke diskutuar në detaje planin e tij.
Në këtë rast, sistemi i sigurisë i ChatGPT ngriti alarm dhe informacioni iu përcoll nga OpenAI – FBI-së, e cila më pas njoftoi autoritetet braziliane. Policia e arrestoi të dyshuarin më 19 qershor, katër ditë para datës kur, sipas hetimeve, ai kishte planifikuar ta realizonte planin.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën katër shishe me një substancë të panjohur dhe një litar. Hetuesit dyshojnë se motivi lidhej me shmangien e pagesës së alimentacionit, pasi burri nuk kishte marrëdhënie me të birin, shkruan Bild.
Ai qëndroi 54 ditë në paraburgim, por u lirua më 13 gusht për shkak të vonesave në hetim. Tani duhet të mbajë një pajisje elektronike në kyçin e këmbës dhe i ndalohet t’i afrohet djalit dhe nënës së tij.
Ministria braziliane e Drejtësisë e ka cilësuar rastin si një nga rastet më serioze të këtij lloji në vend.