Taksa 5 euro për automjete, Byroja e Sigurimeve mbështet vendimin, ekonomistët e kritikojnë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Taksa 5 euro për automjete, Byroja e Sigurimeve mbështet vendimin, ekonomistët e kritikojnë

00:02 | 16 Korrik 2021

Nga shtatori qytetarët do të paguajnë 5 euro për tiketën ngjitëse që identifikon automjetin e regjistruar. Mjetet shkojnë në llogarinë e një kompanie private.

Ministria e Infrastrukturës dhe kompania private, kanë nënshkruar marrëveshje për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

E gjithë kjo, sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi do të sjellë gjëra të mira për Kosovën.

“Kjo është një taksë për tiketa ngjitëse e cila është obligim edhe sipas traktatit ndërkombëtarë për transportin. Ky veprim është shumë i rëndësishëm për Kosovën në anëtarësimin për kartonin e gjelbër”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hysen Durmishi.

Në linjë me Ministrinë e Infrastrukturës janë edhe Byroja Kosovare e Sigurimeve.

“Ky stiker sigurisht se do të ndikojë pozitivisht pasi do të ndalojë humbjet financiare edhe për kompanitë e sigurimeve edhe për shtetin. Në anën tjetër Byronë e pengon numri i madh i automjeteve të pasiguruara”, deklaroi Sami Mazreku nga BKS-ja.

Por këtë taks po e kritikojnë njohësit e çështjeve ekonomike.

“Një hap i tillë i marrë nga Ministria e Infrastrukturës do të motivojë qytetarët që të mos regjistrojnë veturat. E dyta, është një barrë që do ta rëndojë aspektin social. Dhe e treta, duhet të kuptojmë se nga kjo taksë nuk përfiton shteti, nuk përfiton Administrata Tatimore e Kosovës”, deklaroi Safet Gërxhaliu.

Kundër kësaj takse ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai madje ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në protestë për këtë vendim të qeverisë.

Komento: