Taulant Balla në Greqi: Mosliberalizimi i vizave Kosovës, turp për BE-në

14:15 | 11 Korrik 2022

Balla në Greqi: Mosliberalizimi i vizave Kosovës, turp për BE-në.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, mori pjesë në simpoziumin ndërkombëtar “Symi”, që po zhvillohet në Athinë.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Balla tha se mbajti një fjalë në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë – Një strategji për të shtyrë përpara anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe përfaqësues të tjerë nga vendet e tjera të rajonit.

Në fjalën e tij, Balla tha se “Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, shpresoj edhe me Maqedoninë e Veriut, javën e ardhshme (19-20 korrik) është një lajm i mirë”.

“Por të mos harrojmë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim edhe me dy vende të tjera të rajonit nuk është e mjaftueshme në kushtet e reja gjeopolitike pas agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar rus kundër Ukrainës”, tha Balla.

Sipas tij, mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja është një turp tjetër për kredibilitetin e BE-së.

“Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, shpresoj edhe me Maqedoninë e Veriut, javën e ardhshme (19-20 korrik) është një lajm i mirë, por të mos harrojmë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim edhe me dy vende të tjera të rajonit nuk është e mjaftueshme në kushtet e reja gjeopolitike pas agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar rus kundër Ukrainës. Ndërsa nuk e kuptoj pse edhe Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja është një turp tjetër për kredibilitetin e BE-së”, është shprehur Balla.

Ndërsa Procesi i Berlinit, nënvizoi ai, prej tetë vjetësh është instrumenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, “Ballkani i Hapur” është instrumenti i domosdoshëm për implementimin në terren të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.

“Të mos harrojmë se jemi një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj aktorëve jomiqësorë”, deklaroi Balla.

Komento: