Të moshuarve në këtë komunë të Kosovës iu mundësohet shërbim shëndetësor në shtëpi

16:42 | 24 Shtator 2020

Të moshuarve iu mundësohet shërbim shëndetësor në shtëpi.

Komuna e Prizrenit ka futur në funksion shërbimin geriatrik për të moshuarit që kanë nevojë për ndihmë mjekësore, por nuk kanë mundësi të shkojnë deri në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Me këtë shërbim, të moshuarve shërbimet mjekësore do t’u bëhen në shtëpitë e tyre.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, me rastin e realizimit të vizitave të para tek të moshuarit, duke deklaruar se ky shërbim është përtej premtimeve të tij gjatë fushatës, tha se është i gëzuar që të moshuarit tashmë do të kenë përkujdesje profesionale nga infermierët dhe mjekët.

“Sot po fillojmë një shërbim të ri, për herë të parë në Kosovë. Jam shumë i gëzuar që të moshuarit e komunës sonë do të vizitohen nga një ekip profesional mjekësor, sa herë që të kenë nevojë. Në të njëjtën kohë komuna jonë ofron edhe shërbime të kujdesit paliativ, me të cilin ofrojmë shërbime mjekësore në shtëpi për personat me sëmundje në fazën terminale”, tha Haskuka.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu Hoxhaj, deklaroi se aktualisht janë 50 pacientë të moshuar që do të përfitojnë nga ky shërbim dhe ftoi të gjithë qytetarët që kanë nevojë për kujdesin geriatrik, të lajmërohen në organet kompetente të komunës.

”Ky projekt i cili ka filluar sot, do të zgjasë të paktën për dy vitet e ardhshme. Ekipi i shërbimit geriatrik në shëndetësinë primare do të realizojë vizita të rregullta për të moshuarit e komunës sonë, të cilët nuk kanë përkujdesje nga anëtarët e tjerë të familjes, për të ofruar shërbime mjekësore dhe sociale si matja e tensionit arterial dhe paramasave të tjera vitale, vendosja apo heqja e kateterit urinar, dhënia e terapisë orale, kujdesi për higjienë e shërbime tjera të ndryshme”, u shpreh Arënliu-Hoxhaj.

Kujtojmë se përveç Shërbimit Geriatrik, Komuna e Prizrenit vitin e kaluar ka filluar të ofrojë edhe kujdesin paliativ, ku ofrohen shërbime mjekësore në shtëpi për personat me sëmundje në fazën terminale.

Komento: