Të suspendohen profesorët që kanë probleme me ligjin

09:55 | 24 Shtator 2020

Kërkohet suspendimi i profesorëve që kanë probleme me ligjin.

Organizata Demokracia Studentore ka kërkuar nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, që ta hartojë një draft rregullore, e cila do t’i suspendonte profesorët që kanë probleme me ligjin, profesorët që janë duke u hetuar dhe kanë aktakuza të ngritura nga prokuroria e shtetit për vepra të ndryshme penale.

Në komunikatën për media thuhet se Demokracia Studentore gjatë një hulumtimi që e ka kryer në Universitetin e Prishtinës, ka identifikuar që një numër i profesorëve kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria e Shtetit për vepra të ndryshme penale, që kanë të bëjnë me keqpërdorim të detyrës zyrtare, ngacmime seksuale etj.

Kjo do të vlente edhe për profesorët qe janë të kyçur në politikë dhe kanë aktakuza që nuk kanë të bëjnë me Universitetin e Prishtinës dhe deri në lirimin e të gjitha aktakuzave këta profesorë nuk duhet të ligjërojnë në UP.

Mexhid Ramusa nga kjo organizatë ka thënë se kjo draft rregullore do t’i kontribuonte pozitivisht universitetit në cilësi dhe etik, dhe si organizatë do ta dorëzojnë kërkesën në rektorat pasi që kjo është përkrahur edhe nga organizatat tjera dhe nga studentët e Universitetit të Prishtinës.

Komento: