Tenderët e MSH-së gjatë pandemisë, dërgohen në Prokurori nga Komisioni për Shëndetësi

13:51 | 27 Maj 2020

Komisioni për Shëndetësi dërgon në Prokurori tenderët e MSH-së gjatë pandemisë.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën kanë vendosur që të kërkojnë nga Prokuroria që të hetojë procedurat tenderuese të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) në kohën e pandemisë.

Kërkesa për hetim është mbështetur edhe nga deputetët e LVV-së. Pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi, kryetarja e komisionit, deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, ka thënë se si komision kanë vendosur që dosjen me dokumente për tenderët e MSH-së gjatë pandemisë ta dërgojnë në prokurori.

Sipas saj ka dyshime që gjatë kësaj periudhe ka pasur keqpërdorime në procedurat tenderuese. Ndërkohë që anëtari i Komisionit nga radhët e LVV-së, deputeti Fitim Uka, ka thënë se edhe në mbledhjen e mbajtur të martën, sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ua ka bërë të qartë se ata si ministri u kanë bërë thirrje organeve të konkurrencës si dhe Policisë që të mbikëqyrin proceset tenderues. Por Uka ka thënë se kjo nuk ka qenë e mjaftueshëm për deputetët e opozitës, raporton KOHA.

“Tendenca e një pjese të opozitës është që të krijojë spektakël medial nga një çështje e tillë, por fatmirësisht një gjë e tillë nuk kalon pasi që vetë ministri i Shëndetësisë sot i ka bërë thirrje Prokurorisë së shtetit që të hetojë tenderët”, është shprehur Uka. Ai ka thënë se për të treguar që si LVV nuk janë kundër hetimit, sot kanë mbështetur kërkesën e deputetëve të opozitës që lënda të dërgohet në Prokurori.

Komento: