TENSION TE MILANI! Maignan dhe Rabiot marrin pushime shtesë, ja kur rikthehen

10:38 | 10 Gusht 2026

Mike Maignan dhe Adrien Rabiot do të kenë edhe disa ditë pushim shtesë dhe për pasojë nuk pritet të luajnë në asnjë nga ndeshjet miqësore të Milanit gjatë kësaj faze përgatitore.

Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport dhe MilanNews, dy futbollistët francezë do t’i bashkohen grupit vetëm të dielën, pasi kanë marrë katër ditë më shumë pushim.

Maignan dhe Rabiot vijnë pas angazhimit me Francën në Kupën e Botës, ku kombëtarja franceze humbi ndaj Anglisë në ndeshjen për vendin e tretë, më 18 korrik në Miami.

Ndërkohë, skuadra e Milanit do të rikthehet në stërvitje të mërkurën. Në grup pritet të bashkohen Christian Pulisic, Santiago Gimenez dhe Mario Gila, përcjell ORAinfo.

Maignan mund të jetë në garë për ndeshjen me Torinon

Maignan dhe Rabiot po ndjekin programe individuale të përgatitura nga stafi teknik, në mënyrë që të ruajnë formën fizike gjatë pushimeve. Megjithatë, ata do të kenë nevojë për disa ditë stërvitje me ekipin për t’u përshtatur me filozofinë e re taktike.

Për Milanin, rikthimi i Maignan mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm. Portieri francez është titullar dhe kapiten i skuadrës, ndërsa zëvendësuesi Pietro Terracciano deri tani nuk ka marrë asnjë minutë në ndeshjet miqësore.

Terracciano është rikthyer në stërvitje vetëm të premten, pasi kishte pasur probleme me ijën e majtë.

Nëse ai nuk konsiderohet ende gati për miqësoren e fundit ndaj Manchester United, mundësia më e madhe është që portën ta mbrojë Lorenzo Torriani. Portieri i tretë ka qenë i vetmi nga tre portierët që ka marrë minuta këtë sezon dhe ka lënë përshtypje të mira në ndeshjet ndaj Interit dhe Chelsea-t.

Dy lojtarë të rëndësishëm për projektin e Milanit

Pavarësisht situatës së tyre, Maignan dhe Rabiot konsiderohen pjesë të rëndësishme të projektit të Milanit. Kontrata e Rabiot është e vlefshme deri në vitin 2028, ndërsa Maignan ka kontratë deri në vitin 2031.

Deri tani, në klub nuk ka mbërritur asnjë ofertë zyrtare për dy lojtarët dhe drejtuesit nuk kanë shfaqur vullnet për t’i nxjerrë në shitje.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se në çfarë gjendjeje do të rikthehen në Milano dhe nëse situata e tyre do të ndikojë në planet e trajnerit për startin e sezonit.

Milan do ta nisë kampionatin më 23 gusht, në transfertën ndaj Torinos, dhe koha në dispozicion për Maignan dhe Rabiot për t’u integruar me skuadrën do të jetë e kufizuar.

Nëse Maignan nuk do të jetë gati për sfidën e parë të kampionatit, shiriti i kapitenit mund t’i besohet Matteo Gabias ose Luka Modrić. /ORAinfo/

Komento: