Thaçi e akuzoi Kurtin se ka marrë pjesë ne koncertet e “Bjello Dugmës”, reagojnë Haxhiu e Nagavci

23:51 | 19 Tetor 2020

“Kurti e dëgjonte Bjello Dugmën”, Haxhiu e Nagavci i përgjigjen Hashim Thaçit.

Presidenti Hashim Thaçi kishte akuzuar Albin Kurtin se ka marrë pjesë ne koncertet e “Bjello Dugmës” në kohën kur Serbia i dha atij 20 vite burg për aktivitetet me UÇK-në.

Kësaj deklarate të Thaçit i janë përgjigjur dy zyrtaret e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe Arbërie Nagavci

“Nga ky person nuk mund të presë deklaratë tjetër pasi ai është kryesori pse sot në Kosovë e kemi Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu thotë se Vetëvendosje ka qenë vazhdimisht kundër Gjykatës Speciale duke kundërshtuar edhe në Kuvend.

“Tash Hashim Thaçi kur ka dëgjuar se po thirret si i dyshuar apo akuzuar, ai hedh gurë mbi Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë më tej Haxhiu.

Nga ana tjetër Nagavci thotë se Thaçi është përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet sot Kosova.

“Nuk besoj se e merr kush seriozisht mënyra se si flet ai me mllef ndaj zotit Kurti. Problemi është se këtë person konfliktuoz e kemi president të vendit. Unë do t’ia kisha bërë atij dy pyetje: Pse nuk e paditi Dick Marty-n kur kishte paralajmëruar disa herë? Dhe e dyta: Si i ndryshoi ai raport me Lajçakun?”, tha Nagavci në Debat Plus.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte thënë se kur ai ishte dënuar nga Serbia me 20 vjet burg, Kurti kishte dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd.

“Ai e di shumë mirë se kur unë jam dënuar nga Serbia me 20 vjet burg ai ka dëgjuar “Bjello Dugmën” në Beograd. Ka marrë pjesë në koncertet e tyre”, kishte deklaruar Thaçi.

Komento: