Si arriti Blerim Shala të sigurojë pjesëmarrjen e tij në maratonën njëzetvjeçare të bisedimeve Kosovë-Serbi, në Rambuje dhe në Vjenë, pa qenë as pjesë, as i zgjedhur, as përfaqësues i ndonjë grupimi të organizuar shoqëror-politik?! Si ia doli ai të jetë i zgjedhuri edhe i AAK-së, edhe i PDK-së, në bisedimet Kosovë-Serbi të Brukselit, e jo p. sh. Veton Surroi ose dikush tjetër?!
***
Kryetari aktual i Kosovës, Thaçi, dhe publicisti i njohur kosovar, Blerim Shala, shprehur në terminologjinë e sportit, janë maratonistët e vetëm vendorë, që e kanë përballuar me sukses maratonën e gjatë, deri tash njëzetvjeçare, të bisedimeve Kosovë-Serbi.
Qëndresa e tyre nga fillimi e (siç po duket) deri në fund, në këtë maratonë, është emëruesi i përbashkët i Thaçit dhe Shalës, por ndërmjet tyre ka edhe dallime të mëdha dhe interesante:
Derisa Thaçi e filloi maratonën e bisedimeve Kosovë-Serbi, si njëri ndër përfaqësuesit e krahut ushtarak të Kosovës, UÇK-së (krahas përfaqësuesve të krahut politik të saj, LDK-së dhe LBD-së), në Koferencën e Rambujesë; Blerim Shala (bashkë me Veton Surroin), pa qenë përfaqësues i asnjërit krah, as i ndonjë grupimi tjetër shqiptar, e filloi maratonën e tij në bisedimet shqiptaro-serbe, në po atë konferencë;
Derisa Thaçi, maratonën e bisedimeve Kosovë-Serbi, të Vjenës, e vazhdoi si përfaqësues kryesor i opozitës së atëhershme, krahas përfaqësuesve të pozitës së asaj kohe; Shala (bashkë me Veton Surroin), pa qenë i zgjedhur, as përfaqësues, as pjesë e asnjë grupimi politik shqiptar, e vazhdoi edhe në Vjenë maratonën, në bisedimet shqiptaro-serbe;
Derisa Thaçi, pavarësisht nga pozita e tij, si kryeministër, si ministër i Jashtëm a si kryetar i Kosovës, po e vazhdon edhe në Bruksel maratonën e tij, të nisur qysh në Rambuje; Blerim Shala (tash pa Veton Surroin), me një “taktizim“ fare të vogël, e siguroi praninë e tij edhe në bisedimet e Brukselit.
Në fillim, Shala aderoi në AAK dhe, si përfaqësues i saj, ai iu bashkua ekipit të Thaçit në bisedimet e Brukselit, por kur Haradinaj u distancua nga ekipi i Thaçit, Shala e braktisi AAK-në dhe aderoi në PDK, duke siguruar, kështu, përfundimisht pjesëmarrjen e tij edhe në bisedimet problematike të Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo është ana e jashtme, e dukshme, por është edhe një anë tjetër, – ana e brendshme, e padukshme e pjesëmarrjes së Thaçit dhe Shalës, në maratonën e bisedimeve Kosovë-Serbi:
Si arriti Thaçi, në atë moshë të re dhe për një periudhë kohore aq të shkurtër, të imponohet dhe të faktorizohet, në LPK dhe në UÇK (përballë njerëzve të rryem e të regjur të tyre), deri në atë masë sa të sigurojë, jo vetëm pjesëmarrjen e tij, por edhe rolin kryesor vendimmarrës në delegacionin shqiptar të Konferencës së Rambujesë?! … Si ia doli ai të përfaqësojë Kosovën, në bisedimet me Serbinë, në Bruksel, pa i përfillur fare opozitën, as liderët e tjerë partiakë, as institucionet shtetërore të Kosovës?!
Dhe si arriti Blerim Shala të sigurojë pjesëmarrjen e tij në maratonën njëzetvjeçare të bisedimeve Kosovë-Serbi, në Rambuje dhe në Vjenë, pa qenë as pjesë, as i zgjedhur dhe as përfaqësues i ndonjë grupimi të organizuar shoqëror-politik?! Si ia doli të jetë i zgjedhuri edhe i AAK-së, edhe i PDK-së, në bisedimet Kosovë-Serbi të Brukselit, e jo p. sh. Veton Surroi ose dikush tjetër?!
Pjesëmarrja e Shalës në maratonën e bisedimeve Kosovë-Serbi, është lënë në heshtje, jashtë vëmendjes së debateve mediatike dhe interesimit publik, përgjithësisht, ndërkohë që pjesëmarrja e Thaçit, në atë maratonë, sidomos në bisedimit e Brukselit, është debatuar dhe problematizuar gjerësisht, nga një skaj në tjetrin.
Njerëz të afërt me Thaçin: partiakë, një pjesë e mediave dhe përfitues të tjerë të tij, “sukseset“ e Thaçit në ngritjen në majat e LPK-së e të UÇK-së; në maratonën e bisedimeve Kosovë-Serbi; dhe, përgjithësisht, në skenën politike të Kosovës (thënë në mënyrë të përmbledhur), – i lidhin kryesisht me afësitë dhe me shkathtësitë pozitive të Thaçit, për t’i mundur kundërshtarët e tij.
Bashkëveprimtarë dhe bashkëpunëtorë të Thaçit, të djeshëm dhe të sotëm, dhe pjesa më e zëshme e mediave, nga ana tjetër, “sukseset“ e Thaçit (thënë shkurt) – i lidhin me aftësitë dhe me shkathtësitë negative të tij; me gatishmërinë e tij për t’u shtyrë me bërryla e për t’i sakrifikuar edhe miqtë e tij, për t’u ngritur vetë në majat e pushtetit; dhe, madje, edhe me angazhimin e shërbimit sekret të Francës, në krah të Thaçit; etj.
Ndërmjet maratonistëve Thaçi dhe Shala, është edhe një dallim tjetër, i madh e interesant:
Derisa përfaqësimi i Kosovës nga Thaçi në bisedimet e Brukselit dhe, sidomos, idetë e “tij“ për “korrigjimin e kufirit“ Kosovë-Serbi, janë kundërshtuar ashpër, pothuaj, nga të gjitha partitë politike-pjesë të koalicionit a të opozitës, dhe nga të gjithë liderët e tyre, pastaj nga mediat, nga shoqëria civile e më gjerë; pjesëmarrja e Shalës në ekipin e Thaçit, në bisedimet problematike të Brukselit dhe pajtimi i tij me Thaçin për “korrigjimin e kufirit“ Kosovë-Serbi, kanë kaluar si në vaj, pa u kundërshtuar as problematizuar nga askush(!).
Marrëveshjet e Thaçit me Serbinë, në Bruksel, pa një konsensus me opozitën shqiptare, dhe idetë e tij për “korrigjimin“ e kufirit Kosovë-Serbinë, publicisti Blerim Shala i ka mbrojtur dhe i ka arsyetuar edhe publikisht, në bisedat dhe debatet e TV-ve të Kosovës.
Megjithëkëtë, pra me përkrahjen e ideve të Thaçit nga Shala, s’është marrë askush, as është përmendur emri i tij në këtë kontest. Moderatorët e TV-ve tona, të njohur si të porositur për krijimin e opinioneve të gabuara, në vend që ta kundërshtojnë si Thaçin, Shalën e kanë lavdëruar. “Është njeri që i bën nder çdo partie politike“. Kështu e prezantoi Blerim Shalën, para shikuesve të Rubikonit të tij, Adriatik Kelmendi, në kohën kur maratonisti Shala, për ta ruajtur pozitën e tij në ekipin e Thaçit, për bisedimet problematike të Brukselit, e braktisi AAK-në e Haradinajt dhe aderoi në PDK-në e Thaçit.