
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në Ferizaj, ku një fëmijë i moshës njëvjeçare ka ndërruar jetë pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar gjatë marrjes së terapisë në repartin e Pediatrisë. Fëmija ishte transferuar menjëherë në Qendrën Emergjente, por, sipas mjekut kujdestar, kishte mbërritur atje pa shenja jete, mëson Gazeta Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 23 nëntor, ndërsa rreth orës 18:20 nga Qendra Emergjente në Ferizaj është kërkuar asistimi i Policisë.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima është fëmija me inicialet M.U., i cili që nga lindja kishte pasur probleme shëndetësore, për të cilat kishte marrë trajtim të vazhdueshëm mjekësor.
Prindërit e kishin dërguar fëmijën në repartin e Pediatrisë për trajtim mjekësor, ku mjeku kujdestar fillimisht kishte kërkuar kryerjen e analizave dhe më pas kishte përshkruar terapinë.
Sipas deklarimeve të prindërve para hetuesve, pikërisht gjatë marrjes së terapisë, gjendja shëndetësore e fëmijës ishte përkeqësuar.
Për shkak të përkeqësimit të gjendjes, fëmija ishte transferuar menjëherë nga Pediatria në Qendrën Emergjente të Ferizajt.
Mirëpo, sipas deklarimit të mjekut kujdestar të Emergjencës, fëmija kishte mbërritur aty pa shenja jete.
Pas konstatimit të vdekjes, në Qendrën Emergjente kanë dalë hetuesit rajonalë dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe dokumentimin fotografik të trupit të pajetë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë marrë informacione nga prindërit e fëmijës, mjeku kujdestar i repartit të Pediatrisë dhe mjekët kujdestarë të Qendrës Emergjente.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të vdekjes.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i fëmijës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Hetimet pritet të sqarojnë shkakun e vdekjes, arsyet e përkeqësimit të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore dhe nëse ekziston ndonjë lidhje ndërmjet terapisë së administruar dhe përfundimit tragjik.
Rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.