Tragjedia në bjeshkët e Junikut, Policia: Dyshohet se shkaktar ka qenë rryma

15:52 | 25 Dhjetor 2023

Tragjedia në bjeshkët e Junikut, Policia: Dyshohet se shkaktar ka qenë rryma, viktimat janë asfiksuar.

Policia e Kosovës për Gazetën Online Reporteri ka bërë të ditur se nuk ka qenë bombola e gazit ajo që ka shkaktuar vdekjen e çiftit në bjeshkët e Junikut.

Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës ka thënë se vdekja e tyre u konstatua nga mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes.

Siç tha ai për Reporteri.net, dyshohet se shkaktar ka qenë rryma, ku dy viktimat janë asfiksuar.

“Sot rreth orës 11:30, stacioni policor në Junik është njoftuar se në Bjeshkët e Junikut dy persona kanë vdekur. Njësitet kompetente menjëherë janë nisur në atë drejtim bashkë me mjekun kujdestar. Me të arritur kanë hasur në dy viktima. Vdekjen e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshohet se shkaktar ka qenë rryma, nuk ka të bëjë me bombolë gazi. Viktimat dyshohet se janë asfiksuar”, tha Fadil Gashi për Reporteri.net.

Lidhur me rastin për Gazetën Online Reporteri folën edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Shkodran Nikçi tha se prokurori i krimeve të rënda është nisur drejt vendit të ngjarjes dhe se do të bëhen hetime rreth shkakut të vdekjes.

“Janë dy trupa të pajetë që janë gjetur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut. Prokurori i krimeve të rënda është duke shkuar në vend të ngjarjes. Njësitet relevante policore do bëjnë hetim rreth shkakut të vdekjes së tyre. Dy trupat e pajetë do të dërgohen për autopsi në mjekësinë ligjore”, tha Nikçi për Reporteri.

Komento: