Trajneri i Manchester United zbulon planet për afatin kalimtar

12:02 | 09 Qershor 2020

Solskjaer zbulon planet për afatin kalimtar: S’do të blej mollë të kalbura.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, thotë se ai do të tentojë të mos blejë “mollë të kalbura” gjatë afatit kalimtar, por do të tentojë të gjejë lojtarë që e reflektojnë edhe personalitetin e tij.

Në afatin e parë kalimtar të verës si trajner i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer i bleu Harry Maguiren, Daniel Jamesin dhe Aaron Wan-Bissakan, në një tentim për ta ndërtuar një ekip të ri me lojtarë ambicioz e vendorë, transmeton Gazeta Express.

Portugezi Bruno Fernandes pastaj u transferua në Old Trafford nga Sporting Lisbona gjatë afatit kalimtar të janarit, i ndjekur nga huazimi i sulmuesit nigerian Odion Ighalo.

Ndërkohë, Manchester Unitedi vazhdon të spekulohet për transferimin e disa lojtarëve këtë verë. Solskjaer ka bërë të ditur se cilido lojtar që transferohet në “Teatrin e Ëndrrave” do të duhet të përshtatet me filozofinë e klubit.

“Unë ndihesha se po sillem si një profesionist dhe ndihesha i privilegjuar që luaja për Manchester Unitedin. Nuk do të mundë ta shikoja veten në sy nëse nuk do të kisha dhënë gjithçka nga vetja për bashkëlojtarët dhe trajnerin tim”, ka thënë Solskjaer.

“Këtë e kërkoj edhe te lojtarët të cilët i transferojmë ose i sjellim nga akademia e klubit. Duhet të kesh personalitet të mirë dhe të jesh profesionist, pasi që një mollë e kalbur mund t’i prishë të gjitha mollët në një shportë”.

“Kështu që për mua është me rëndësi ta ndërtojmë një skuadër që i reflekton pikëpamjet dhe personalitetet e stafit tim të trajnerëve dhe meje. Natyrisht kemi disa standarde sepse ne duam të fitojmë. Ne po punojmë për të fituar”.

“Por hapi i parë për të qenë lojtar i Manchester Unitedit, është të jesh mjaftueshëm modest sa të punosh shumë, të mos dorëzohesh kurrë dhe ta japësh gjithmonë më të mirën nga vetja, duhet të punosh maksimalisht çdo ditë dhe të mos mendosh kurrë që je më i mirë sesa që je”.

“Por, në të njëjtën kohë, duhet të luash me vetëbesim. Është një baraspeshë delikate, por kjo do ta bëjë dallimin kur të jemi duke luftuar për titullin e kampionatit, të cilin duam ta fitojmë”.

Komento: