Trajneri Reja qartëson idetë, ja formacioni i mundshëm ndaj Hungarisë

21:19 | 08 Tetor 2021

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka mbërritur paraditen e sotme në Budapest, ku do të përballet me Hungarinë të shtunën në mbrëmje, në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës Katar 2022, ku kuqezinjtë synojnë të pozicionohen në vendin e dytë dhe të ëndërrojnë për një kualifikim histori.

Trajneri Edi Reja dhe kapiteni Etrit Berisha dolën në konferencën e zakonshme për shtyp pasditen e sotme, ndërsa më pas skuadra iu drejtua stadiumit “Puscas Arena” për të kryer edhe seancën e fundit stërvitore, në të cilën tekniku Italian u mundua të shuajë dilemat në lidhje me 11-shen që do të hedhë në fushë nga minuta e parë ndaj maxharëve.

Kështu në portë nuk ka dyshime, me Etrit Berishën që fiton sërish balotazhin me Strakoshën dhe do të zbresë nga minuta e parë me shiritin e kapitenit në krah, ndërsa para tij do të konfirmohen sërish treshja Ismajli-Kumbulla-Gjimshiti, të cilët luajtën titullarë edhe në ndeshjet e shtatorit.

Në mesfushë, nga krahët do të luajnë Elseid Hysaj në të djathtë dhe Lorenc Trashi në të majtë, ndërsa në qendër do të luajë I përhershmi Gjasula, që këtë herë do të shoqërohet nga Keidi Bare dhe Endri Çekiçi, që pas formës së mirë të shfaqur te Konyaspor, ka bindur edhe trajnerin Edi Reja.

Në sulm konfirmohet i përhershmi Sokol Cikalleshi, i cili nuk luajti në ndeshjen e parë ndaj maxharëve për shkak të një dëmtimi, ndërsa në “Puscas Arena” do të luajë përkrah njeriut që e njeh më së miri atë stadium dhe kundërshtarin, beratasi Myrto Uzuni.

Mungesa e vetme për këtë ndeshje do të jetë ajo e Bekim Balajt për shkak dëmtimi, ndërsa trajneri Reja mund të rrijë i qetë, pasi edhe në pankinë do të ketë emra si Bajrami, Manaj, Broja e Balliu, të cilët mund të vijnë nga stoli e të bëjnë po aq mirë sa titullarët.

Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e dytë pas 6 ndeshjeve, ku kanë grumbulluar 12 pikë dhe kanë si synim të konfirmohen në këtë pozitë deri në fund të eliminatoreve, si mënyra e vetme për të mbajtur gjallë ëndrrën për një biletë për në Katar.

Hungari-Shqipëri do të startojë në orën 20:45 në “Puscas Arena” dhe Supersport 2, ku nuk do të mungojë as emisioni dedikuar Kombëtares “Kuqezi”.

Komento: