Trajtimi i rasteve të dhunës në familje- Prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit

17:33 | 22 Prill 2024
trajtimi-i-rasteve-te-dhunes-ne-familje-prokuroret-e-shtetit,-ne-secilin-rast-ku-ka-baze-ligjore,-te-kerkojne-caktimin-e-paraburgimit

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi është takuar sot [ e hënë] me kryeprokurorët e të gjitha prokurorive në Kosovë. Gjatë këtij takimi është diskutuar veçanërisht për trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Përmes një njoftimi zyrtar të lëshuar për media, u mor vendim që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore.

“Në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nëpër të gjitha Prokuroritë Themelore, për rastet e dhunës në familje, janë të caktuar koordinatorë nga radhët e prokurorëve, të cilët merren ekskluzivisht me këto raste dhe të cilët vazhdojnë me përkushtim dhe me urgjencë të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje, megjithatë, pas diskutimeve të përbashkëta, e me qëllim të parandalimit dhe luftimit të kryerjes së këtyre veprave penale u nxorën edhe konkluzionet që prokurorët e shtetit, në secilin rast ku ka bazë ligjore, të kërkojnë caktimin e paraburgimit për rastet e dhunës në familje dhe armëmbajtjeve pa leje, si dhe të zbatojnë në mënyrë strikte udhëzuesin për politikë ndëshkimore”, thuhet në njoftim.

Tutje gjatë këtij takimi janë adresuar edhe disa kërkesa institucioneve të tjera më qëllim të realizimit të mandatit të Prokurorit të Shtetit për hetimin e këtyre veprave penale.

“Rritjen e buxhetit për shtimin e numrit të mbrojtësve të viktimave;Rritjen e buxhetit për shtimin e strehimoreve për vendosjen e viktimave; Rritjen e kapaciteteve në Agjencinë për Forenzikë të Kosovës, si dhe Rritjen e kapaciteteve të Institutit për Forenzikë Psikiatrike”, thuhet në njoftim.

Komento: