Trusti vjen me një lajm të mirë për fondin e kursimeve

14:58 | 30 Mars 2022

Rikuperohen gati gjysma e humbjeve në Trust, Muja: Tërheqja e kursimeve nga qytetarët po bëhet shprehi.

Fndi i Kursimeve Pensional Kosovës, Trusti, ka arritur të rikuperojë një pjesë të investimeve që pësuan humbje në muajin shkurt, për shkak të krizës në tregjet financiare globale si pasojë e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës.

Kryetari i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, theksoi se në muajin shkurt pësuan rënie prej rreth 90 milionë euro investimet e Trustit, por theksoi se kthimi i investimeve ka ulur humbjet në rreth 50 milionë euro.

Derisa Morina ka thënë se janë të gatshëm të zbatojnë çfarë do vendimi të Kuvendit për tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit, Armend Muja theksoi se nuk duhet të bëhet shprehi tërheqja e këtyre kursimeve nga qytetarët.

Gjatë raportimit lidhur me zhvillimet e fundit në tregjet financiare dhe ndikimi i tyre në kursimet e qytetarëve, Morina tha se kriza e fundit ka ndikuar në performancën e investimeve, por pas humbjeve në dy muajt e parë të vitit, në mars ka nisur trendi pozitiv dhe që është duke vazhduar pothuajse shumica e vlerës së rënies, rreth 90 milionë euro sa ishte vlera e rënies më të madhe të vlerës së aksioneve.

”Aktualisht kemi rikuperuar një pjesë të madhe, ku tani ka mbërri në rreth 50 milionë euro. Deri në këtë moment kur po flasim, nëse më 25 mars kishim minues 2.4 për qind, sot jemi minus 2.1 për qind. Pra, trendi pozitiv tanimë është duke vazhduar”, theksoi Morina.

Ndër të tjera, kryetari i bordit të Trustit, Morina duke komentuar idenë për tërheqjen e fondeve nga Trusti, theksoi se si institucion janë të gatshëm për të realizuar vendimet që vijnë nga Kuvendit, por shtoi se duhet të shqyrtohen mekanizma të tjerë për t’i ndihmuar qytetarët në kohë krize. Madje ai tha se një mundësi e tillë, Trusti, duhet të jetë mekanizimi i fundit që duhet të diskutohet.

”Sa i përket çështjes së debatuar kohëve të fundit për iniciativën e tërheqjes së mjeteve, ne vazhdojmë të mbajmë pozicionin se si institucion nuk dëshirojmë të përfshihemi në debate politike. Kjo mbetet kompetencë e institucioneve, sidomos e Kuvendit të Kosovës se si do ta trajtojë këtë çështje. Ne sikur se kemi qenë të gatshëm dhe jemi të gatshëm të përmbushim çdo vendim që sjellë Kuvendi. Por para se të trajtohen tema të tilla, është mirë që të gjithë mekanizmat që i ka shteti në dispozicion për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve. Kështu që ne mendojmë se kjo do të ishte hapi i fundit apo çështje e fundit që do të duhej të shqyrtohej si mekanizëm për të intervenuar në situata emergjente. Por, kjo mbetet e përgjegjësi e Kuvendit se si do ta trajtojë këtë çështje”, theksoi Morina.

Në anën tjetër, Armend Muja duke kundërshtuar kërkesën e PDK-së për tërheqjen e 30% të fondeve nga Fondi Pensional, tha se në kohën kur kishte pasur tërheqje të mjeteve më 2020, tkurrja ekonomike ka qenë minus 5 për qind, derisa sipas tij, tani Kosova ka një rritje ekonomike 10 për qind.

”Unë nuk kisha prejudikim sa i përket kësaj tërheqjes, isha, nuk është çështja shumë se a ka mundësi apo s’ka mundësi. Vërtet nëse ne bëjmë këso shprehi, çdo herë, çdo vit që të tërhiqen mjetet e trustit, megjithatë nuk po themi se qytetarët nuk kanë nevojë, unë pajtohem, mirëpo me i rritë pritjet. Në kohën kur është tërhequr 10 përqindëshi, kemi pasur një tkurrje ekonomike prej 4 ose 5 për qind, kështu që nuk është situatë e njëjtë, sepse kemi një rritje ekonomike 10 për qind, është rrit edhe konsumi po ashtu 14 për qind krahasuar me vitin 2019”, theksoi Muja.

Ndërsa, deputeti Avdullah Hoti, ka kërkuar përgjigje nga drejtues të Trustit, për pasojat afat gjate që mund të rrjedhin me tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

“Ka një iniciativë ligjore për tërheqje të mjeteve të Trustit, normalisht kur kjo ka ndodhur në vitin 2020, është arsyetuar me pandeminë, me tronditje të mëdha ekonomike, që ndodhë në një herë në 100 vjet, dhe askush se ka menduar se brenda 2 vjetëve në mund të vijmë deri te një situatë tjetër të krizës ekonomike financiare që është gati e përmasave të pandemisë. Tash unë nuk po iu kërkojë juve mendim, se a jeni për apo kundër, sepse nuk iu takon juve të jepni opinion në këtë çështje, por nëse do të mund të na tregoni se cilat do të ishin pasojat në planet e juaja investuese nëse ndryshohet ligji për miratimin e një tërheqjes shtesë e mjeteve nga Trusti. Dhe cila do të ishte pasoja afatgjate nga ky ndryshim? Po ashtu sa do të ishte përqindja që mendoni se mund të tërhiqet pa shkaktuar probleme në planet e juaja”, ka pyetur Hoti.

Për këtë, kryetari i Bordit të Trustit, Morina theksoi se viti 2022 do të jetë sfidues për Trustin si rrjedhojë e luftës në Ukrainë, dhe kështu edhe parashikimet janë të vështira.

“Ne jemi aty për të përcjellë gjendjen, për të parë dhe për të vepruar ndaj zhvillimeve. Mund të themi se do të jetë një vit tejet sfidues për ne që të parashohim, sepse parashikimi është tepër i vështirë veçanërisht tani nga ndikimet në aspektin gjeopolitik në tregjet financiar. Kështu që është vështirë që ne ta parashikojmë se si do të rrjedhin, kjo për shkak të luftës në Ukrainë. Të shohim se a do të ndalet apo do të përshkallëzohet edhe më tutje”, theksoi ai.

Derisa për raportimin e drejtuesve të Bankës Qendrore në Komision rreth stabilitetit financiar në vend, nuk ndodhi sot për shkak të mungesës së guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, që ishte për arsye shëndetësore.

Komento: